Lidhje

Izraeli vë në shënjestër raketat iraniane në Siri


Zyrtarë të zbulimit në Lindjen e Mesme thanë se avionë izraelitë bombarduan sot objektiva ushtarake pranë kryeqytetit sirian, për të dytën herë gjatë ditëve të fundit. Sulmi kishte në shënjestër një ngarkesë me raketa iraniane që po i dërgohej grupit militant Hezbollah në Liban.

Burimi anonim i zbulimit tha se ashtu si sulmi ajror i së premtes, Izraeli kishte si objektiv raketat që mund të përdoren kundër tij.

Qeveria siriane e dënoi sulmin që tha se goditi një ndërtesë të ushtrisë në veri të Damaskut.

Ministria e Jashtme siriane tha sot në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “agresioni izraelit” vrau dhe plagosi disa njerëz dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha.

Irani gjithashtu e dënoi sulmin dhe u bëri thirrje vendeve në rajon të mbajnë qëndrim.

Ushtria izraelite më pas dislokoi dy bateri të sisemit të saj të mbrojtjes në afërsi të kufirit verior.

Zyrtarët izraelitë nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht sulmet në Siri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG