Lidhje

Në Izrael zhvillohen zgjedhjet parlamentare


Anketat tregojnë se aleanca e drejtuar nga zoti Natanjahu dhe nacionalisti Yisrael Beitenu do të fitojë shumicën në parlament

Izraelitët sot votojnë në zgjedhjet parlamentare të cilat pritet t’i japin një mandat të tretë kryeministrit Benjamin Natanjahu. Anketat tregojnë se aleanca mes partisë Likud të drejtuar nga zoti Natanjahu dhe partia e nacionalistit Yisrael Beitenu do të fitojnë shumicën e 120 vendeve në parlament. Partia Laburiste në opozitë dhe partia e ekstremit të djathtë Shtëpia e Hebrenjëve pritet të marrin mbështetje më të vogël. Çështjet kryesore gjatë fushatës zgjedhore ishin gjendja ekonomike, konflikti me palestinezët dhe programi bërthamor i Iranit.

Zgjedhjet zhvillohen në një kohë të vështirë për Izraelin sepse qëndrimet e ashpra të zotit Natanjahu për konfliktin me palestinezët e kanë vënë Izraelin në përballje me komunitetin ndërkombëtar, duke rritur izolimin diplomatik të vendit.

Rënia ekonomike dhe rritja e deficitit buxhetor mund të çojë në shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksave për elektoratin i cili tashmë është prekur nga kostoja e lartë e jetesës.

Izraelitët janë gjithashtu të shqetësuar nga mundësia e një sulmi izraelit ndaj Iranit për shkak të programit bërthamor të Teheranit. Një veprim i tillë nga Izraeli mund të pasohet me sulme hakmarrëse nga Irani dhe aleatët e tij në Liban dhe në territoret palestineze.

Malkah Robbins është i shqetësuar nga një konflikt i mundshëm me Iranin.

“Sfida jonë kryesore është Irani. Është një çështje që ka të bëjë me jetën apo vdekjen. Është për të ardhur keq që bota nuk e sheh çështjen e Iranit nga ky këndvështrim”.

Udhëheqësja e Partisë Laburiste, Shelly Yahimovich e hodhi votën në Tel-Aviv. Gjatë fushatës zgjedhore, 52 vjeçarja Yahimovich u përqëndrua kryesisht në mesazhin populist që kishte për synim të fitonte mbështetjen e shtresës punëtore e cila zakonisht voton për partitë radikale. Platforma e saj përfshin nxitjen e paqes me arabët dhe një fokus pothuaj të plotë tek ekonomia, krijimi i vendeve të punës dhe zgjidhja e problemeve sociale. Ajo ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së drejtuar nga zoti Natanjahu.

Ghassan Eayan, banore arabe e qytetit Beit Safa është e shqetësuar nga diskriminimi dhe racizmi ndaj popullatës arabe në Izrael.

“Unë jam në favor të partive arabe sepse të tjerët do të mbështesin diskriminimin dhe racizmin”.

Një anketë e kohëve të fundit e organizuar nga universiteti i Haifas parashikon se vetëm gjysma e Izraelito-arabëve do të votojnë në këto zgjedhje. Dy të tretat e atyre që morën pjesë në anketë thanë se ata nuk besojnë se partitë arabe janë në gjendje të prëmirësojnë komunitetet e tyre që vuajnë nga varfëria dhe diskriminimi.

Ndërkohë kolonët izraelitë në Bregun Përëndimor pritet të kenë një pjesëmarrje më të lartë në zgjedhjet parlamentare.

Ndërkohë që në Izrael pjesëmarrja në votime është rreth 64 për qind, në rajonet ku jetojnë komunitet e kolonëve pjesëmarrja shkon deri në 90 për qind.

Kolonët votojnë kryesisht për kandidatët të cilët janë kundër arritjes së një kompromisi territorial me palestinezët.

Qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me një numër sfidash, përfshirë rritjen e izolimit diplomatik për shkak të politikave të Izraelit ndaj palestinezëve, ngadalësimin e ekonomisë dhe kërcënimin nga armët bërthamore të Iranit.

XS
SM
MD
LG