Lidhje

Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Irani


Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Obama nuk do të takohet me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu kur ai të vizitojë Uashingtonin në muajin mars për të mbajtur një fjalim në Kongresin amerikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, e ftoi zotin Netanyahu, pa u konsultuar paraprakisht me Shtëpinë e Bardhë. Ftesa shikohet si një ndëshkim nga republikanët në Kongres ndaj diplomacisë së Presidentit Obama për programin bërthamor të Iranit.

Presidenti Obama dhe Kryeministri i Izraelit Netanyahu nuk bien dakord për mënyrën më të mirë për të ndaluar Iranin të prodhojë një armë bërthamore. Zoti Netanyahu është skeptik për diplomacinë ndërkombëtare të zotit Obama.

Ndërkohë që bisedimet me Iranin pritet të rifillojnë në muajin shkurt, disa udhëheqës në Kongresin amerikan janë duke e humbur durimin. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, befasoi duke ftuar udhëheqësin izraelit të flasë në Kongres, siç u shpreh ai, në lidhje me kërcënimin e programit bërthamor të Iranit dhe islamin radikal.

“Nuk u konsultova me Shtëpinë e Bardhë. Kongresi mund ta marrë vetë këtë vendim. Ekziston një kërcënim serioz në botë, të cilin presidenti thjesht e anashkaloi.”

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti nuk do të takohet me zotin Netanyahu për shkak të afrimit të zgjedhjeve në Izrael në muajin mars.

Kryetarja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, gjithashtu ngriti pikëpyetje në lidhje me kohën e vizitës.

“Kjo paraqitje do të ndodhë dy javë para zgjedhjeve në Izrael. Nuk mendoj se kjo është diçka e përshtatshme për asnjë vend.”

Sekretari i Shtetit John Kerry u përpoq të ulte efektet e asaj që shikohet si qortim ndaj Presidentit Obama.

“Ne e mirëpresim kryeministrin e Izraelit të vijë dhe të flasë në Amerikë në çdo kohë. Është qartësisht e pazakonshme të mësojmë për këtë ftesë nga zyra e kryetarit të dhomës së përfaqësuesve. Megjithatë, të gjithë e dinë se çështja e Iranit është në mendjet e shumë njerëzve.”

Presidenti ka një plan për të mos lejuar Iranin të prodhojë një arme bërthamore, tha zonja Pelosi, dhe Kongresi duhet të shtyjë propozimin për të votuar për shtimin e sanksioneve kundër Iranit.

“Negociatat mund të dalin me sukses, ose jo. Por nuk duhet të dështojnë pse Kongresi dëshiron të tregojë muskujt pa arsye.”

Senatori demokrat Robert Menendez nuk është dakord.

“Irani duhet të jetë i ndërgjegjshëm se do të ketë pasoja nëse kjo dështon. Disa prej nesh tashmë besojnë se këto pasoja duhet të jenë sanksionet shtesë.”

Steve Billet, i Universitetit George Washington, thotë se Kongresi ka një rol për të luajtur në formimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, por se përfshirja e tij mund të komplikojë diplomacinë në zhvillim.

“Nuk jam shumë i sigurtë se si do të ndikojë kjo tek negociatat. Është qartësisht një element ngatërrues për njerëzit që zhvillojnë negociatat që të kenë edhe këto lloj ndikimesh mbi kokë. Kur Kongresi imponohet në një situatë të tillë, në të vërtetë shton pasigurinë.”

Në një artikull jo të zakonshëm në gazetën The Washington Post, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë thonë se sanksionet shtesë ndaj Iranit do të rrezikonin përpjekjet ndërkombëtare në një moment kritik. Ata i bënë thirrje të gjithëve që t’i japin një shans diplomacisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG