Lidhje

Izraeli mohon rrëzimin e një avioni luftarak nga Siria


Siria njoftoi se ka rrëzuar një avion luftarak izraelit dhe se pati goditur një të dytë.

Megjithatë, Izraeli tha se të gjithë avionët u kthyen të sigurtë në bazë sot në mëngjes, pasi kryen sulme ajrore ndaj disa objektivave në Siri.

Izrali nuk përcaktoi se cilat ishin objektivat, por Siria tha se avionët izraelitë sulmuan objektiva ushtarake pranë Palmiras dhe e përshkroi këtë si një agresion që ndihmon Shtetin Islamik.

Në kundërshtim me praktikën e saj, Forca Mbrojtëse e Izraelit bëri një deklaratë për shtyp ku pranon zhvillimin e operacionit.

Deklarata thotë se “gjatë orëve të para të datës 17 mars, avionë të Forcës Ajrore të Izraelit goditën disa objektiva në Siri. Raketa kundërajrore u lëshuan nga Siria dhe sistemi mbrojtës interceptoi një prej raketave. Nuk u rrezikua në asnjë moment siguria e civilëve izraelitë apo e avionëve të Forcave Ajrore të Izraelit.”

Izraeli zakonisht nuk komenton për veprime të tilla.

Sirenat e alarmit ajror paralajmëruan banorët izraelitë në Luginën e Jordanit për aktivitetin e sotshëm ajror në orët e mëngjesit.

XS
SM
MD
LG