Në Izrael jeta u ndërpre për dy minuta, ndërsa sirenat ushtuan në mbarë vendin në kujtim të ditës së Holokaustit. Makinat ndaluan, shoferët dolën jashtë, duke qëndruar në këmbë, në shenjë respekti për 6 milionë hebrejtë e vrarë nga forcat naziste dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vendosi një kurorë në memorialin kushtuar Holokaustit, në një prej ceremonive të shumta që u zhvilluan në mbarë vendin. Këtu në Uashington Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku shpreh solidaritetin e saj me komunitetin hebraik në Amerikë dhe në botë. “Kurrë të mos harrojmë, kurrë të mos përsëritet”, thuhej në mesazhin e Shtëpisë së Bardhë.