Lidhje

Izraeli nuk i ofron zotit Paneta angazhime të reja për paqen


Izraeli nuk i ofron zotit Paneta angazhime të reja për paqen
Izraeli nuk i ofron zotit Paneta angazhime të reja për paqen

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Paneta nuk ka marrë premtime të reja nga udhëheqësit izraelitë pasi u kërkoi atyre që të bëjnë më shumë në arritjen e paqes me palestinezët dhe përmirësuar marrëdhëniet me vendet e tjera në rajon.

Është udhëtimi i parë i zotit Leon Paneta në Tel Aviv qëkur mori postin e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes. Ai erdhi në Tel Aviv me një paralajmërim për shtetin hebraik: se rrezikon izolim të mëtejshëm nëse nuk përmirëson marrëdhëniet me vendet e tjera në rajon pas revolucioneve popullore në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Në citimet gjatë udhëtimit për në Tel Aviv, zoti Paneta tha se Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë Izraelin që të përmirësojë marrëdhëniet e dëmtuara me Egjiptin dhe Turqinë.

“Është shumë e qartë se në këto kohëra dramatike në Lindjen e Mesme ku ka patur kaq shumë ndryshime, nuk është një situatë e mirë për Izraelin që të bëhet edhe më i izoluar, dhe pikërisht kjo po ndodh.”

Zoti Paneta u prit përzemërsisht në ministrinë izraelite të mbrojtjes të henën , një përgjigje e sjellëshme nga Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak.

“Jam tërësisht dakord se duhet të kërkojmë një rrugë të arsyeshme dhe të përshtatshme për të zbutur tensionet me Turqinë me Egjiptin, që të gjejmë një shteg për të rifilluar negociatat në një mënyrë të sinqertë dhe efektive me palestinezët.”

Por megjithatë, zoti Barak nuk bëri ndonjë premtim.

“Është e qartë se në botë, ka nga ata që duan ta shohin Izraelin të zënë në një qoshe në një lloj izolimi dhe është e qartë për ne se kemi përgjegjësinë për tu përpjekur për të zbutur tensionet me të gjithë fqinjët tanë.”

Zoti Barak tha se është i gatëshëm për negociata dhe kërkon që palestinezët të vijnë në tryezën e bisedimeve pa kushte. Ai e kritikoi udhëheqjen palestineze për dorëzimin e njëanëshëm të kërkesës për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara, duke thënë se veprimi, siç u shpreh ai, provon se ka kufizime në kapacitetet palestineze për të ecur në botë. Qeveria amerikane e kundërshton kërkesën palestineze dhe thotë se do të vërë veton ndaj rezolutës nëse del për votim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Paneta zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me presidentin palestinez Mahmud Abas në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor dhe më pas me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Jeruzalem.

XS
SM
MD
LG