Lidhje

SHBA të shqetësuara nga veprimet e Izraelit


Shtetet e Bashkuara janë duke i bërë thirrje Izraelit që të anulojë vendimin për shpalljen e një pjese të madhe të Bregut Perëndimor "tokë shtetërore" që në të ardhmen mund të përdoret për ndërtimin e vendbanimeve, duke thënë se kjo do të dërgonte një mesazh shumë shqetësues.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha dje se ndërtimi i më shumë vendbanimeve izraelite në territorin ku palestinezët duan ndërtojnë shtetin e tyre të ardhshëm është në kundërshtim me qëllimin e deklaruar të Izraelit për arritjen e një marrëveshje paqeje me palestinezët.

Zëdhënësja Psaki tha se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë të dyja palëve kundërshtimin e saj të fortë ndaj të gjitha hapave që pengojnë një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme.

Izraeli thotë se do të marrë mbi 400 hektarë në zonën Etzion pranë Betlehemit si reagim ndaj rrëmbimit dhe vrasjes së tre adoleshentëve izraelitë në qershor. Izraeli ka identifikuar tre palestinezë si të dyshuar për vrasjen e adoleshentëve.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat sot do të arrijë në Uashington për bisedime me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.

Ky është takimi i parë i Sekretarit Kerry me palestinezët që kur ai ishte në Kajro në korrik në përpjekje për të negociuar një armëpushim mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

XS
SM
MD
LG