Lidhje

Izraeli pranon propozimin e Kuartetit për bisedime me palestinezët

  • Robert Berger

Izraeli pranon propozimin e Kuartetit për bisedime me palestinezët

Izraeli pranon propozimin e Kuartetit për bisedime me palestinezët

Ndërkohë që palestinezët kërkojnë njohjen e shtetit të tyre në Kombet e Bashkuara, Izraeli i është përgjegjur zyrtarisht një përpjekjeje ndërkombëtare për të ringjallur procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Robert Berger na informon nga Jeruzalemi se Izraeli ka mirëpritur propozimin e ndërmjetësve ndërkombëtarë për fillimin e bisedimeve të paqes me palestinezër “menjëherë dhe paparakushte”.

Kuarteti i ndërmjetësve të Lindjes së Mesme, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Rusia, paraqitën propozimin para më shumë se një jave, pasi palestinezët paraqitën kërkesën për njohjen e shtetit të tyre në Kombet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara janë kundër njohjes së shtetit palestinez, duke thënë se pavarësia e Palestinës duhet të arrihet nëpërmjet negociatave me Izraelin. Kuarteti bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve të paqes brenda një muaji dhe për arritjen e marrëveshjesh për shtetin palestinez deri në fund të vitit 2012.

Zëdhënësi izraelit, Mark Regev u bëri thirrje palestinezëve të braktisin përpjekjen për njohjen e shtetit të tyre në Kombet e Bashkuara dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve.

"Izraeli është i gatshëm dhe ka qënë i gatshëm për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve. Ne shpresojmë që pala palestineze të shfrytëzojë këtë mundësi dhe kështu ne do të shikojmë rifillimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme”.

Sipas propozimit të Kuartetit, bisedimet e paqes duhet të fillojnë pa parakushte. Por palestinezët thonë se referenca e Kuartetit për planin e paqes të vitit 2003, të quajtur “harta rrugore”, mbështet kushtin e tyre themelor për rifillimin e negociatave, ndalimin e gjithë ndërtimeve të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor.

Negociatori palestinez Saeb Erekat tha se Kryeministri izraelit Benjamin Netaniahu duhet t’u përmbahet angazhimve në bazë të “hartës rrugore”.

"Ai ka një detyrim për ato që quhen vendbanime. Ky nuk është parakusht. Nuk është parakusht, është detyrimi i tij për të ndaluar aktivitetin e ndërtimit të vendbanimeve”.

Israeli i dha një grusht përpjekjeve për paqe javën e kaluar kur njoftoi për ndërtimin e 1100 shtëpive të reja në Jeruzalemin Lindor, në tokat që Izraeli pushtoi pas luftës së vitit 1967. Palestinezët duan që Jeruzalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhëshëm. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kritikuan lëvizjen izraelite. Por Izraeli thotë se i gjithë Jeruzalemi është kryeqyteti i tij, dhe jo vendbanim, dhe mund të ndërtojë kudo që të dojë në qytet.

XS
SM
MD
LG