Lidhje

Izraeli thotë se po përfundon procesin e deportimit të aktivistëve të huaj

  • Zëri Amerikës

Izraeli thotë se po përfundon procesin e deportimit të rreth 700 aktivistëve të huaj që ndaloi të hënën gjatë një operacioni komando për të ndaluar flotilien me ndihma humanitare të hynte në Rripin e Gazës.

Komandot izraelite vranë të paktën nëntë aktivistë pasi zbritën nga helikoptetër në anijen turke që ishte në krye të flotiljes. Izraeli ka thënë se trupat hapën zjarr për vetmbrojtje.

Ndërkaq, disa nga aktivistët e ndaluar kanë ankuar për trajtim brutal nga autoritetet izraelite.

Flotilja ndërkombëtare me gjashtë anije po çonte 10 mijë ton ndihma humanitare në Rripin e Gazës, me synimin për të thyer bllokadën tri-vjeçare izraelite.

Aktivistët pro-palestinezë kanë thënë se do të ndërmarrin një përpjekje tjetër për të çarë bllokadën. Edhe Kryeministri i Irlandës, Brian Cowen i ka bërë thirrje Izraelit të lejojë anijen irlandeze, Rachel Corrie, të shkarkojë ndihmat e saj në Gaza.

REAGIMI I TURQISË

Deputetët e parlamentit turk po i bëjnë thirrje qeverisë të rishikojë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe ushtarake me Izraelin, pas sulmit izraelit ndaj disa anijeve që po dërgonin ndihma në Gazë. Deputetët miratuan sot një deklaratë e cila i quan sulmet një shkelje të qartë të rregullave të OKB-së si dhe të ligjit ndërkombëtar. Ministri i jashtëm, Ahmet Davutoglu tha se Izraeli e ka siguruar Turqinë se nuk do të nxjerrë në gjyq asnjërin prej disa qindra turqve që ndaloi gjatë incidentit.

Gjatë një konference për shtyp, zoti Davutoglu tha se vendi i tij kërkon ngritjen e një komisioni ndërkombëtar për të hetuar incidentin. Turqia, e cila humbi katër shtetas të saj gjatë incidentit, është vënë në krye të protestave ndërkombëtare kundër operacionit izraelit. Zyrtarët e Turqisë kanë bërë thirrje të përsëritura për një hetim të pavarur ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë për një hetim të brendshëm që të kryhet nga Izraeli.

"Po të lexosh deklaratën e presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty Izraeli dënohet qartë. Gjithashtu, ajo deklaratë u mbështet edhe nga Shtetet e Bashkuara . Pra ka një dënim të qartë nga Shtetet e Bashkuara dhe një solidaritet të qartë me Turqinë," tha zoti Davutoglu.

Ndërkohë, deputetët e parlamentit turk miratuan një deklaratë ku thuhet se Izraeli duhet të kërkojë zyrtarisht ndjesë për incidentin ku u vranë 9 veta, t’u paguajë dëmshpërblim viktimave e të nxjerrë para drejtësisë personatg përgjegjës.

Presidenti Barak Obama foli dje në telefon me kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan. Sipas Shtëpisë së Bardhë, zoti Obama shprehu ngushëllime për humbjen e shtetasve turq dhe theksoi rëndësinë e gjetjes së rrugëve më të mira për dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë pa minuar sigurinë e Izraelit. Turqia ka kërkuar heqjen e bllokadës izraelite ndaj Gazës.

XS
SM
MD
LG