Lidhje

Netanyahu nuk përjashton mundësinë e ofensivës tokësore në Gazë

  • Michael Bowman

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk po e përjashton mundësinë e një ofensive tokësore në Gazë, për t'i dhënë fund qindra sulmeve me raketa që hidhen në Izrael nga militantët islamikë.

Pas më tepër se 1,300 sulmeve ajrore izraelite dhe grumbullimit të tankeve në kufijtë e Gazës, kryeministri Netanyahu po diskuton arritjen e synimeve të Izraelit dhe jo metodat që do të përdoren për arritjen e tyre:

"Synimi ynë është të kemi qetësi dhe siguri për popullin tonë, dhe për të arritur këtë jemi duke i shkaktuar dëme Hamasit dhe kapaciteteve të tjera terroriste. Tani nuk mund të them se si dhe kur do të arrihet ky synim i yni."

Kryeministri izraelit u shfaq në programin televiziv amerikan "CBS' Face the Nation". I pyetur lidhur me rritjen e numrit të të vrarëve në Gazë, zoti Netanyahu tha se Izraeli e përdor sistemin e e raketave për të mbrojtur civilët, ndërsa militantët në Gazë përdorin civilët si mburojë për raketat:

"Na vjen keq për ndonjë vdekje aksidentale të civilëve në Gazë. Por është Hamasi ai që mban përgjegjësi të plotë për viktimat mes civilëve."

As Izraeli dhe as militantët palestinezë nuk duket të jenë dakord me armëpushimin e kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Izraeli ka hedhur fletushka në disa pjesë të Gazës, ku i bën thirrje civilëve të evakuohen. Zyrtarët në Gazë thonë se paralajmërime të tilla nuk duhen marrë parasysh.

XS
SM
MD
LG