Lidhje

J. Moore: Shqetësime për polarizimin e situatës në Shqipëri

  • Arben Xhixho

Jonathan Moore, State Department

Jonathan Moore, State Department

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri nuk duhet zhvilluar përmes akuzave politike dhe shtypit, por përmes sistemit të drejtësisë.

Në një intervistë për kolegun Arben Xhixho, drejtori i zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore, ndalet edhe tek përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës, si dhe mes qeverisë dhe presidentit.
VOA: Zoti Moore ju keni qënë në Shqipëri dy herë që nga koha e ardhjes në pushtet të qeverisë së re socialiste në shtator. Cili është mendimi juaj, për mënyrën si ka qeverisur ajo deri tani?

J. Moore: Faleminderit së pari për ftesën për të qënë këtu tek Zëri i Amerikës sot. Unë e kam vizituar me kënaqësi Shqipërinë shumë herë dhe dy herë, siç thatë ju, që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re në shtator të vitit të kaluar. Kanë kaluar vetëm 8 muaj dhe qeveria po punon intensivisht për një sërë përparësish siç është edhe ai i marrjes së statusit të vendit kandidat në BE. Qeveria ka qënë e efektshme në këtë drejtim dhe ky është një synim edhe i opozitës. Siç ka ndodhur edhe në shumë vende, ka patur pikëpyetje për disa prej vendimeve të fazave të para të qeverisjes, në se ato janë marrë për arësye partiake, apo në kuadër të një strategjie më afatgjatë. Por deri tani qeveria ka punuar shumë intensivisht për ta çuar Shqipërinë drejt integrimrit evropian.

VOA: Shtetet e Bashkuara ishin përkrahëse të forta të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe tani mbështesin anëtarësimin e saj në BE. Ndonëse vendimi i takon Brukselit, sipas mendimit tuaj, a ka bërë Shqipëria përparim të mjaftueshëm për të marrë statusin në qershor, pasi ka dështuar 4 herë në të kaluarën?

J. Moore: Siç e thatë edhe ju, ne nuk kemi votë për Bashkimin Evropian, por ne mbështesim me forcë Shqipërinë në këtë drejtim. Integrimi Euro-Atlantik është një nga përparësitë kryesore për Shtetet e Bashkuara. Ne duam të shikojmë një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe dhe si pjesë e këtij procesi, Shqipëria duhet të shkojë drejt BE-së, ajo ka punuar shumë për këtë. Qeveria e mëparshme e kryeministrit Berisha dhe qeveria e tanishme e kryeminisrit Rama janë të përkushtuar për këtë qëllim dhe ne do të dëshironim që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat.

VOA: Në vend ka tension gjithsesi mes socialistëve dhe demokratëve. Ndonëse lufta e ashpër politike nuk është në vetvete problematike, ajo bëhet e tillë kur paralizon punën parlamentare dhe sot po shohim ligje të rëndësishme të miratuar vetëm me votat e njerës palë. Cili është mendimi juaj?

J. Moore: Ne jemi të shqetësuar. Jemi të ndërgjegjshëm për polarizimin e situatës në shoqëri, në politikë dhe në shtyp. Por ne kemi besim në aftësinë e popullit shqiptar për të dalluar faktet e vërteta nga ato që i servir politika ose shtypi. Ne duam të shohim përgjegjësi si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga ana e opozitës, të gjejnë fusha ku mund të bashkëpunojnë, në vend të periudhave me pasoja politike si ato kur një numër i madh njerëzish humbasin vendet e punës. Avokati i Popullit, Totozani më ngriti të njejtin shqetësim kur e takova, që një numër i madh njerëzish kanë humbur vendet e punës që pas ndryshimit të qeverive. Duhet të ketë bashkëpunim mes tyre. Edhe këtu në Amerikë, ka dallime të mëdha mendimesh, ka njerëz që nuk e pëlqejnë njeri tjetrin për shkak të personaliteteve të tyre, por kur flet për çështje politike ka pika të shumta të përbashkëta dhe kjo është e rëndësishmja.

VOA: Një moment tjetër tensionesh janë ato mes qeverisë dhe presidentit. Zyra e presidentit e ka akuzuar qeverinë se ajo po përpiqet ta zhveshë atë nga kompetencat. Si e shikoni ju këtë çështje?

J. Moore: Kur isha në Shqipëri para disa javësh, pata mundësi të flisja për këtë çështje me presidentin, me kryeministrin, me kryetarin e parlamentit dhe me njerëz të tjerë në qeveri. Pikëpamja jonë është që ne duam të shohim që institucionet të funksionojnë normalisht, që populli t’u besojë atyre dhe punës që ato bëjnë. Për disa prej çështjeve që presidenti ka ngritur ai po përdor mekanizmat e duhur ligjorë, duke iu drejtuar gjykatës kushtetuese, siç ishte rasti i shkarkimit të zonjës Xhuka, kryetares së Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive. Ky është një hap shumë praktik. Në shumë vende, jo vetëm në Shqipëri, ka situata të ngjashme mosmarrëveshjesh për autoritetin e qeverisë, të kreut të shtetit apo të parlamentit. Ky është moment i rëndësishëm si për presidentin edhe për kryeministrin dhe rezultatet e punës së tyre do të tregojnë se sa e suksesshme është demokracia shqiptare. Presidenti përfaqëson gjithë vendin, kryeministri ka përgjegjësi për të gjithë vendin, kjo duhet të jetë temë debati publik dhe në se ka mosmarrëveshje ato duhen zgjidhur në mënyrë ligjore dhe jo politike.

VOA: Një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare, të institucioneve të vendit është korrupsioni dhe dobësitë e sistemit të drejtësisë. Qeveria premtoi luftë të fortë ndaj korrupsonit. A ka qënë ajo e suksesshme deri tani?

J. Moore: Ka probleme korrupsoni në gjithë rajonin. Nuk mund të them që nuk ka korrupsion në Amerikë. Ky është një problem që qeveria e mëparshme dhe kjo e tanishmja janë zotuar ta luftojnë. Ata kanë qënë në pushtet për vetëm 8 muaj. Një nga elementët kryesorë të luftës kundër korrupsionit është goditja e tij me sukses, jo vetëm me fjalë, për këtë duhet të përdoret Prokurori i Përgjithshëm Adritik Llalla. Në se ka fakte ndaj zyrtarëve në qeveri apo në nivel lokal, ose ndaj gjykatësve, ato duhet të hetohen dhe t’i kalojnë rrugëve ligjore, prokurorisë dhe të mos bëhen përmes të ashtuquajturit “gjyq publik”, përmes shtypit, apo përmes politikanëve që akuzojnë paraardhësit e tyre. Këto raste duhet të zgjidhen përmes sistemit të drejtësisë. Është e vërtetë që ka korrupsion në Shqipëri, edhe mes disa gykatësve, por po ashtu ka edhe gjyqtarë shumë të mirë, të aftë, me të cilët ne bashkëpunojmë gjithmonë, që i trajnojmë, tani sapo kishim këtu për shembull kryetarin e Gjykatës së Tiranës, zotin Islamaj. Ka shumë tjerë në sistemin e drejtësisë dhe në prokurori tek të cilët ne kemi besim në Shqipëri.

VOA: Zoti Moore ju faleminderit.

J. Moore: Ishte kënaqësi që isha sot këtu. Në se më lejohet të shtoj diçka në fund. Këto ditë ne sapo patëm për një vizitë të suksesshme ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe pas dy javësh do të kemi për vizitë kryetarin e parlamentit, zotin Meta, më pas do të kemi disa deputetë. Para pak kohe, në muajin shkurt, kishim presidentin Nishani. Ndonëse është e rëndësishme për mua dhe kolegët e mi të shkojmë në Shqipëri, natyra e marrëdhënieve dypalëshe është në një nvel shumë pozitiv, siç shihet nga niveli i shkëmbimeve dhe këtyre vizitave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG