Lidhje

Matlock: Moska nuk synon aneksimin e Ukrainës lindore

  • Andre Nesnera

Një armëpushim i vendosur mes palëve po vazhdon të respektohet në rajonin lindor të Ukrainës. Gjatë një interviste me gazetarin Andre de Nesnera të Zërit të Amerikës, jep opinionin e tij për situatën në Ukrainë, ish-ambasadori amerikan Jack Matlock, ekspert i Rusisë prej një kohe të gjatë.

Armëpushimi ndali luftimet që zgjasnin prej pesë muajsh mes trupave qeveritare ukrainase dhe separatistëve prorusë, për të cilët vendet perëndimore thonë se janë ndihmuar drejtpërdrejt nga Rusia - një veprim i mohuar nga Moska. Zyrtarë të lartë rusë, duke përfshirë dhe ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, kanë deklaruar kohët e fundit se nuk ka pasur ndërhyrje ushtarake nga Rusia.

Por ambasadori i fundit amerikan në Bashkimin Sovjetik (1987-1991), Jack Matlock, nuk është dakord:

"Është e qartë se ata po ndërhyjnë. Mendoj se ata mund të thonë: Ndërhyni dhe ju, ku të dëshironi. Ju edhe keni pushtuar, si në rastin e Shteteve të Bashkuara që pushtuan Irakun nga i cili nuk pësuan sulm. Ne, në thelb, jemi duke përdorur të njëjtat metoda."

Disa ekspertë thonë se presidenti rus Vladimir Putin kërkon më shumë sesa vetëm ndikim në atë rajon dhe se ai kërkon të aneksojë Ukrainën lindore, siç bëri me Krimenë. Por zoti Matlock thotë se kjo gjë nuk do të ishte e favorshme për Rusinë.

"Nuk mendoj se kanë si qëllim t'ia shtojnë territorin Rusisë. Do të ishte diçka krejtësisht e paarsyeshme. Kjo është një zonë në depresion nga ana ekonomike. Do të ishte shpenzim e jo përfitim."

Por ish-ambasadori Matlock thotë se në shumë aspekte, duke përfshirë atë politik, ekonomik dhe emocional, Ukraina lindore është shumë e rëndësishme për Moskën.

"Kjo është një zonë që për shekuj me radhë ka qenë pjesë e Rusisë dhe ku për shkak të përkatësisë etnike dhe lidhjeve, njerëzit kanë të afërm në të dy anët e kufirit. Ata duan të jetojnë në një vend të vetëm dhe nuk mund të shuhet historia dhe këto lidhje njerëzore, historike dhe ekonomike. Pra, kjo zonë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Rusinë, më shumë se për cilindo nga vendet e NATO-s."

Disa anëtarë të NATO-s, si tre shtetet baltike, kanë shprehur shqetësim se Rusia mund të kryejë lëvizje agresive kundër tyre. Por ish-ambasadori Matlock e përjashton këtë mundësi.

"Ata janë anëtarë të NATO-s, ata do të mbrohen nëse sulmohen. Nuk do të ketë sulme ndaj tyre, prandaj nervozizmi për këtë më duket i gabuar."

Zoti Matlock thotë se përveç problemeve të mëdha të shkaktuara nga separatistët prorusë të mbështetur nga Moska, qeveria ukrainase përballet gjithashtu me çështje të brendshme të rëndësishme.

"Problemet themelore të Ukrainës janë të brendshme sepse vendi nuk ishte në gjendje të vendoste një kuptim të vërtetë të domethënies së të qenit ukrainas. Dhe çdo qeveri që kishin, pavarësisht nëse erdhi kryesisht nga perëndimi apo nga lindja, u përpoq të dominonte pjesën tjetër."

Ish ambasadori amerikan në Bashkimin Sovjetik Jack Matlock thotë se është thelbësore që të gjitha fraksionet në Ukrainë të punojnë së bashku në mënyrë uniforme për të trajtuar problemet e vendit, duke filluar nga ekonomia.

XS
SM
MD
LG