Lidhje

Jahjaga: Besoj në zgjedhje të ndershme


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton për situatën në Kosovë në një seancë në të cilën marrin pjesë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç. Në këtë takim do të diskutohet për raportin më të ri të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon mbi zhvillimet në Kosovë nga janari deri në mesin e prillit të këtij viti. Raporti veç tjerash përmend sfidat e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në prill të vitit 2013 në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Zbatimi i marrëveshjes dhe vazhdimi i bisedimeve janë ndërprerë për shkak të zgjedhjeve të majit në Serbi dhe zgjedhjeve të tetë qershorit në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga foli për këto çështje, në një intervistë nga studioja e Zërit të Amerikës në New York.
Interviste me Pres. Jahjaga
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:49 0:00


Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, ju sonte do të përballeni me presidentin serb Tomislav Nikoliç në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Çfarë prisni nga kjo përballje?

Atifete Jahjaga: Takimi i radhës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një mundësi e mirë për të prezantuar të arriturat e Kosovës në këta muaj të fundit dhe për të dhënë një pasqyrë të plotë të zhvillimeve pozitive në vend. Është për tu vlerësuar se Kosova ka arritur të ndërtojë një shoqëri demokratike dhe shumëkulturore dhe një shoqëri që po ecë drejt ndërtimit të shtetit ligjor dhe ka bërë hapa përpara në avancimin e agjendës së integrimeve. Takimi i radhës i Këshillit të Sigurimit është një mundësi e mirë për të ritheksuar faktin se Kosova sot është një shtet i qëndrueshëm, me demokraci të brendshme dhe një shtet që respekton vlerat e qytetarëve, një shtet që po konsolidohet ndërkombëtarisht dhe që po synon anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe në veçanti në OKB. Periudha e armiqësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar dhe ne jemi duke ecur rrugës së dialogut, prandaj paraqitja në Këshillin e Sigurimit, për Kosovën ka kuptimin e prezantimit të saj si një shtet i gatshëm për të marrë obligimet ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Ishit ju dhe presidenti serb Nikoliç që një vit e ca më parë i dhatë një shtytje procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tuaja. Sa i ka përmbushur pritjet tuaja ky proces?

Atifete Jahjaga: Duhet të ritheksoj se procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë nuk ka alternativë dhe është e vetmja mundësi për të gjetur zgjidhje për çështjet që i kemi trashëguar nga e kaluara dhe që kanë qenë të të hapura në mes të të dyja shteteve tona. Marrëveshjet janë arritur deri më tani dhe ne duam të shohim zbatimin e tyre në praktikë, sepse procesi i implementimit të këtyre marrëveshjeve ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit dhe gjithsesi kontribuon edhe në normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona. Fqinjësia e mirë, është një proces i cili kontribuon edhe në rrugën e integrimeve evropiane, që gjithsesi se është një proces individual i shteteve, por çështja e fqinjësisë së mirë është një parakusht themelor në rrugën e integrimeve evropiane. Po ashtu është një mundësi e vendosjes së paqes dhe pajtimit të përhershme në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, në Kosovë tashmë po bëhen përgatitjet teknike për zgjedhjet e tetë qershorit, një kohë mjaft e shkurtër për një proces të tillë. Si po ecën përgatitja e tyre?

Atifete Jahjaga: Koha mund të jetë e shkurtër, por hapi i ndërmarrë ka qenë i domosdoshëm pas shpërbërjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Megjithatë të gjithë mekanizmat dhe organizatat që janë të thirrura për organizimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të tetë qershorit në Republikën e Kosovës. Unë besoj se në shtetin tonë do të kemi zgjedhje të drejta, demokratike, të lira gjithëpërfshirëse dhe një proces të ndershëm. Është e domosdoshme që të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh se në cilën pjesë, në cilin cep të territorit të Republikës së Kosovës jetojnë, të të ndihen të sigurt për të votuar dhe që vota e tyre të jetë e garantuar. Të gjitha këto masa janë ndërmarrë nga të gjitha institucinet dhe organizata që janë përgjegjëse për organizimet e tilla, por kjo kërkon një angazhim jashtëzakonisht të madh edhe të qytetarëve por edhe institucioneve që të kemi një organizim dhe një mbarëvajtje siç e meriton shteti i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë thirrje që korrupsioni të mos dëmtojë këtë proces. Përse jeni e shqetësuar që kjo mund të ndodhë?

Atifete Jahjaga: Po shikoni, në të kaluarën kemi pasur disa shembuj jo edhe aq të mirë të procesit të zgjedhjeve dhe për këtë para disa ditësh para se të nisesha për në New York unë kam organizuar takimin e radhës së Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit me një temë specifike që është korrupsioni në zgjedhje, në mënyrë që të kemi të gjitha institucionet e thirrura për menaxhimin dhe organizimin e zgjedhjeve dhe të kemi zotimin e tyre dhe është bërë zotimi i tyre në kuadër të këtij këshilli për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve dhe ruajtjen e votës së qytetarit. Ju po ashtu e dini se ky proces i zgjedhjeve do të monitorohet edhe nga ana e një misioni të veçantë të BE-së por po ashtu edhe nga një numër jashtëzakonisht i madh vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë, dhe gjithsesi besoj se si shtete kemi arritur atë pjekuri politike të dëshmojmë se Kosova është e aftë të organizojë një proces të zgjedhjeve dhe këtë e kemi dëshmuar edhe me zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë dhe ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë mbi këto standarde që janë gjithsesi edhe parakusht kryesor i rrugës së integrimeve evropiane për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Pak para se të udhëtonit për në Kombet e Bashkuara ju thatë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit nuk janë të mjaftueshme. Ku ka ngecur kjo luftë zonja presidente?

Atifete Jahjaga: Po, shihni kjo luftë do të jetë e bollshme vetëm atëherë kur kjo dukuri do të çrrënjoset krejtësisht në shoqërinë tonë. Çështja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk është një sfidë apo një fenomen me të cilën ballafaqohet vetëm Kosovë, por është një sfidë me të cilën ballafaqohen të gjitha vendet e rajonit dhe kjo është një dukuri sidomos për vendet në tranzicion. Ju po më pyesni se ku po ngecim dhe unë them se në vitin e fundit kemi arritur progres të konsiderueshëm sa i përket një lufte efektive, por kemi ende punë për të bërë. Ne kemi krijuar institucione të specializuara së bashku edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi krijuar kapacitetet e nevojshme dhe ka ardhur koha që shteti ynë dhe qytetarët tanë të meritojnë një luftë më intensive ndaj këtyre dukurive që janë në masë duke dëmtuar jo vetëm imazhin e shtetit tonë por gjithsesi janë duke ndikuar në zhvillimin e gjithëmbarshëm sidomos në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja në vend dhe gjenerimin e ekonomisë së shtetit tonë.
XS
SM
MD
LG