Lidhje

Pas takimit Jahjaga-Nikoliç


Takimi i parë mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë u mbajt mes përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre

Takimi i parë mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, i mbajtur dje në Bruksel, u vlerësua si konstruktiv nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq, dy presidentët thanë se do të mbështesin bisedimet që po zhvillohen nga kryeminsitrat e të dyja palëve për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë deklaratat pas takimit lanë të kuptohej se qëndrimet e dy presidentëve ishin shumë larg njëri-tjetrit.

Shefja e politikës së jashtme së Bashkimit Evropian Catherine Ashton që organizoi takimin, u takua fillimisht me presidentin serb Nikoliç, pastaj me presidenten e Kosovës Jahjaga dhe më pas me të dy së bashku.

Në përfundim, zoti Nikoliç u tha gazetarëve se takimi nuk solli ndonjë zgjidhje për pengesën më të madhe mes dy vendeve, statusin e Kosovës.

“Zonja Jahjaga, ka pikëpamjen përjashtuese se Kosova është shtet i pavarur dhe si e tillë duhet të ndërtojë një marrëdhënie të mirë me Serbinë”.

Në një konferencë për shtyp pas bisedimeve, Presidentja Jahjaga akuzoi zotin Nikoliç se po këmbëngul tek alternativat e vjetra radikale nacionaliste.

“Për fat të keq, ai vazhdoi me alternativat e vjetra radikale nacionaliste që kanë shkaktuar dëme dhe pasoja të rënda jo vetëm për vendin tim, por për gjithë rajonin”, tha zonja Jahjaga.

Ish-ultranacionalisti Nikoliç dikur mbështeti ofensivën serbe në Kosovë, e cila u ndal nga ndërhyrja e NATO-s. Por para se të bëhej president i Serbisë vitin e kaluar, ai e zbuti retorikën dhe shprehu mbështetje për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Kjo është koha e integrimit, hegjemonia është diçka e së kaluarës”, tha zonja Jahjaga.
Dje, në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, këtu në Washington, kryeministri serb Ivica Daçiç e quajti takimin në Bruksel një hap të rëndësishëm, por shtoi se dialogu nuk do të jetë i lehtë.

“Ju e dëgjuat presidenten e Kosovës e cila shfrytëzon çdo rast për të afirmuar pavarësinë, ndonëse ato bisedime janë të paanshme ndaj statusit”.

Zoti Daçiç tha se në periudhën në vazhdim do të ketë tema të vështira për t’u diskutuar dhe se bisedimet duhen parë si përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë kompromisi, që nuk prek statusin dhe nuk e detyron Serbinë të njohë Kosovën, por që sipas tij do të rregullojë mënyrën e organizimit të jetës në Veri.

Zoti Daçiç dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi janë takuar disa herë në Bruksel.

XS
SM
MD
LG