Lidhje

Jahjaga: “Nuk do të ketë status të veçantë për veriun e Kosovës”


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha sot se nuk do të ketë asnjë trajtim të veçantë për komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ajo i bëri këto komente në një takim me gazetarë në njëvjetorin e zgjedhjes së saj në postin e presidentes së vendit. Presidentja Jahjaga tha se çdo veprim në atë zonë, duhet të jetë në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke përjashtuar çdo mundësi që atje të mbahen zgjedhjet lokale të Serbisë, të parapara për datën gjashtë maj. Ajo tha se ky është qëndrim i prerë i institucioneve të Kosovës, i mbështetur nga komuniteti ndërkombëtarë.

Kurse ne si institucione të Republikës së Kosovës, e kemi thënë dhe e përsërisim se për shtetasit apo qytetarët që kanë dyshtetësi, është e drejtë që është edhe konform normave dhe standardeve të tjera ndërkombëtare dhe kjo do të bëhet duke i respektuar të gjitha standardet e evropiane, që zakonisht në çdo shtet mund të realizohet përmes ambasadave. Edhe për shtetin fqinj të Serbisë, do të kishte qenë më së lehti që të ketë ambasadën dhe t’i realizojë këto zgjedhje”, tha presidentja Jahjaga.

Periudha pas zgjedhjeve të Serbisë, pritet të shënojë një fazë të re bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në të cilat, është thënë se mund të përfshihet edhe çështja e veriut të Kosovës, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës. Presidentja Jahjaga tha se tërësia tokësore e Kosovës është e pandryshueshme dhe hodhi poshtë çdo mundësi ndarjeje apo shkëmbimi territoresh. Kosova, tha ajo, nuk do të bisedojë më askënd për çështjet e brendshme të saj, ndërsa integrimi i komunave veriore do të bëhet në pajtim me rendin kushtetues të Kosovës.

Edhe në Pakon e (Martti) Ahtisarit edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parashihet autonomia komunale, proces që nuk ta lejon as ndarjen, as vetëvendosjen e as shkëputjen që t’i bashkëngjitesh një shteti tjetër. Me këtë pako parashihet procesi i decentralizimit, proces që tanimë ka përfunduar në të gjitha pjesët e tjera të Kosovës në mënyrë të suksesshme dhe kjo çështje që i referohen shpesh aspektit të statusit të veçantë - nuk ka status të veçantë”, tha ajo.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë postë në ditën e sotme të vitit 2011, pas një marrëveshje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e re, Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Behgjet Pacolli, të cilët u dakorduan rreth rrugës së tejkalimit të situatës politike e cila qe krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jo kushtetuese.

Marrëveshja përshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta, duke i dhënë fund praktikës së zgjedhjes në Parlament.

XS
SM
MD
LG