Lidhje

James Baker komenton për Shevarnadzen dhe Luftën e Ftohtë


James Baker
James Baker

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ish-Sekretari amerikan i Shtetit James Baker, i bëri një vlerësim të lartë homologut të tij të dikurshëm sovjetik, Eduard Shevardnadze, i cili vdiq pak ditë më parë. Zoti Baker tha se bota i ka borxh një mirënjohje të madhe ish ministrit të jashtëm Shevardnadze, pasi ai ndihmoi që Lufta e Ftohtë të merrte fund në mënyrë paqësore. Sekretari Baker u intervistua nga kolegia e Zërit të Amerikës Vivian Chakarian.

Baker komenton për Shevarnadzen
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:51 0:00

ZËRI I AMERIKËS: Sekretari Baker, cila është trashëgimia që lë pas Eduard Shevardnadze?

JAMES BAKER: Mendoj se trashëgimia e tij kryesore, së bashku me atë të zotit Mihail Gorbachev, është se ata nuk pranuan të përdorin forcën për të penguar shpërbërjen e perandorisë sovjetike. Kjo bëri që miliona njerëz në vendet e Evropës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik të provonin lirinë, demokracinë dhe tregjet e lira. Kam shumë besim se historia do t'i trajtojë shumë mirë të dy këta njerëz.

ZËRI I AMERIKËS: Duke patur parasysh ngjarjet e 25 viteve të fundit pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ngritjen e zotit Putin në pushtet, rritjen e autoritarizmit dhe ato që po ndodhin sot në Ukrainë, a mendoni se Shtetet e Bashkuara humbën ndonjë rast, a mund të kishin bërë ato më shumë për të ndihmuar Rusinë të vendoste institucionet demokratike?

JAMES BAKER: Mendoj se Shtetet e Bashkuara bënë sa mundën në atë kohë. Duhet të keni parasysh se në vitin 1991, kur në Bashkimin Sovjetik filloi shpërbërja, SHBA ishin në një recesion jashtëzakonisht të vështirë, ishin vetë në vështirësi ekonomike. Ju mund të thoni se ndoshta duhet të ishte bërë më shumë, ashtu siç u veprua pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore me Gjermaninë dhe Japoninë. Por kjo është thjesht hamendje, është të flasësh nga pozitat e kohës së sotme. Mendoj se në vitet 1993-94, me transformimin e NATO-s në një aleancë me prirje më tepër politike, ekzistonte shansi që mund ta lejonte Rusinë të bëhej anëtare e NATO-s. Në një shkrim që botova në atë kohë në gazetën New York Times, unë thosha se nëse vërtet kërkohet që Rusia të përqafojë demokracinë dhe tregjet e lira, në NATO duhet të ketë një vend edhe për Rusinë, sepse në atë kohë, NATO-ja ishte më tepër një aleancë politike se sa e sigurisë. Më vjen keq që kjo nuk ndodhi dhe ndoshta mund të quhet një shans i humbur.

ZËRI I AMERIKËS: Ju thatë se zoti Shevardnadze ndihmoi për t'i dhënë fund paqësisht Luftës së Ftohtë. Cilat ishin motivet që e shtynë atë të vepronte kështu?

JAMES BAKER: Nuk di ta shpjegoj se cilat ishin motivet e tij, sepse nuk isha brenda mendjes së tij. Por kjo qe diçka e jashtëzakonshme po të kesh parasysh se ai ishte një komunist i përkushtuar. Megjithatë, mendoj se ai filloi të kuptojë se sistemi nuk po funksiononte në të mirë të popullit sovjetik, se perandoria sovjetike po mbahej më këmbë thjesht përmes përdorimit të forcës dhe se gjendja ekonomike ishte e keqe. Mendoj se ai arriti në përfundimin se ishte e nevojshme të bëheshin reforma themelore, prandaj edhe e mbështeti me forcë Gorbachevin. Radikalët në atë kohë, sidomos në kohën kur u tentua rrëzimi i Gorbachevit me grusht shteti, u treguan shumë të ashpër ndaj Shevardnazes dhe ndaj Gorbachevit. Por të dy këta rezistuan dhe, për mendimin tim, treguan kurajo të madhe politike. Më kujtohet dita e mbarimit të Luftës së Ftohtë. Ishte gusht i vitit 1990, menjëherë pas pushtimit të Kuvajtit nga Iraku. Shevardnaze ishte ministër i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik, ndërsa unë Sekretar i Shtetit. Ne qëndruam krah për krah në aeroportin Vnukovo të Moskës dhe e dënuam të dy përdorimin e forcës nga një vend i madh si Iraku kundër një vendi të vogël. Shevardnaze veproi kështu megjithë paralajmërimet e radikalëve në Bashkimin Sovjetik, të cilët i thanë se nëse e bën këtë, do t'i kesh duart të lyera me gjak. Ai e bëri, sepse e dinte se ky ishte një veprim i drejtë. Për mua kjo ishte dita kur u binda vërtet se Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.

ZËRI I AMERIKËS: Çfarë mund të mësojnë nga Eduard Shevardnadze udhëheqësit e sotëm të Rusisë, si Presidenti Putin?

JAMES BAKER: Nuk jam i sigurt nëse e di përgjigjen e kësaj pyetjeje, por besoj se njerëzit kudo në botë kanë dëshirën për liri, kanë dëshirën të jenë të lirë për t'u shprehur, të lirë për besuar si të duan, të bëjnë transaksione biznesi transparente dhe të hapura dhe të qeverisen me respekt ndaj kësaj dëshire të tyre për liri. Unë mendoj se xhindi i lirisë nuk mund të futet përsëri në shishe, pasi ka dalë prej saj. Me këtë nuk dua të bëj ndonjë aluzion se sot në Rusi po ndodh pikërisht kjo. Por besoj se ajo që bëri Shevardnadzja dhe Gorbachevi, megjithëse sot po dënohet në Rusi, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për miliona njerëz në Evropën Qendrore e Lindore si dhe në republikat e ish Bashkimit Sovjetik dhe vazhdon të jetë e tillë edhe sot. Shumë njerëz thonë se Bashkimi Sovjetik do të shembej një ditë dhe nuk ishte nevoja që ne të bënim gjithë këtë punë në diplomaci dhe në fushën e kontrollit të armëve, sidomos në diplomaci, çka lejoi përfundimin paqësor të konfliktit. Në fakt nuk ishte ashtu. Ata që morën pjesë në këtë proces punuan shumë që ai të përfundonte në paqe dhe askush nuk bëri më shumë se sa Eduard Shevardnadze.

ZËRI I AMERIKËS: Ju dhe Shevardnadze përfaqësonit sisteme shoqërore shumë të ndryshme. Si shkonit me njëri-tjetrin?

JAMES BAKER: E filluam si kundërshtarë dhe e mbyllëm si miq. Jo thjesht si miq, por si miq që ushqejnë dashamirësi të vërtetë për njëri-tjetrin. Kur u takova për herë të parë me Shevardnadzen kur isha Sekretar i Shtetit, takimet tona ishin shumë të ngurta dhe formale, delegacionet ishin shumë të mëdha. Ata na ulnin në tavolina tepër të mëdha aq sa na duhej t'i bërtisnim njëri-tjetrit. Në kohën kur procesi mbaroi, marrëdhëniet tona nuk ishin më konfrontuese por marrëdhënie bashkëpunimi, miqësie dhe dashamirësie. Kam një respekt shumë të madh për Shevardnadzen dhe mendoj se bota i ka borxh atij një mirënjohje të madhe, prandaj jam i kënaqur që do të marr pjesë në funeralin e tij në Tbilisi. Dua t'ju them edhe diçka. Në atë kohë, sovjetikët nuk lejoheshin të kalonin një perimetër prej më shumë se 25 miljesh nga selia e tyre në Nju Jork apo nga ambasada në Uashington. Kur u bëra Sekretar i Shtetit në vitin 1989, mendova se ndoshta duhet t'i hiqnim këto formalitete, prandaj i ftova ata të vinin në shtetin Wyoming. Ata erdhën dhe ne patëm takime jashtëzakonisht produktive, sidomos në çështjen e konventave të armëve kimike, të cilat shërbyen për vite me radhë si bazë e traktatit të armëve kimike, ku sot bëjnë pjesë shumica e vendeve të botës. Në fund të takimeve ne shkëmbyem dhurata. Unë i dhashë Shevardnadzes një palë çizme kaubojsish, ndërsa ai më dha një pikturë ku paraqitej Krishti duke u dhënë mësime njerëzve dhe më tha: Xhim, po të jap këtë për të të thënë se ne komunistët po ndryshojmë botëkuptim. Kjo ishte diçka e pazakontë kur mendon se bëhej fjalë për vitin 1989. Vërtet Shevardnadze ishte një komunist i përkushtuar, por ai besonte në Jezu Krishtin, ishte anëtar i Kishës dhe do të varroset në një kishë të Tbilisit.

XS
SM
MD
LG