Lidhje

21 Janari 2011, të pafajshëm komandantët e Gardës


Prokuroria kishte akuzuar për vrasje komandantin Ndrea Prendi dhe oficerin Agim Llupo duke kërkuar 48 vite burg. Gjykata a Tiranës: Nuk ka prova. Reagon ashper opozita

Në Shqipëri gjykata e Tiranës vendosi sot të shpallë të pafajshëm komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e tre prej katër manifestuesve që u qëlluan me armë zjarri gjatë protestave të opozitës në 21 Janar të vitit 2011 të cilat cuan në përleshje të dhunshme me forcat e policisë që mbronin selinë e kryeministrisë në Tiranë. Gjykata vlerësoi se nuk ka prova që të mbështesin akuzën e prokurorisë për vrasje me dashje. Prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon. Ndaj vendimit reagoi ashpër opozita e cila braktisi punimet e parlamentit, ndërsa kryetari Edi Rama tha se kryeministri Berisha i ka kthyer gjykatësit në ekzekutues të Drejtësisë

“Gjykata krijoi bindjen se akuza e prokurorisë në ngarkim të të pandehurve për veprën penale të vrasjes me dashje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë persona nuk qëndron. Si përfundim Gjykata vendosi deklarimin të pafajshëm të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo”, shpalli kreu i trupit gjykues Besnik Hoxha.

Ndërsa theksoi se drejtuesit e Gardës ishin në mbrojtje të institucioneve gjykatësi Besnik Hoxha iu referua në vendimin e tij edhe gjykatës të të drejtave të njeriut të Strasburgut.

Prokurorët të cilët e kishin akuzuar si zotin Prendi ashtu dhe zotin Llupo pas ekspertizës së ardhur nga FBI amerikane, kërkuan javën e shkuar 48 vite burgim për të dy drejtuesit e Gardës. Pas vendimit të sotëm Prokuoria njoftoi se do të marrë një vendim për veprime të mëtejshme sapo të marrë të zbardhur arsyetimin e trupit gjykues për cështjen.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës. Në sallën e parlamentit ku po zhvillohej seanca e zakonshme u krijua jo pak tension. “Po ju them ne emër të familjarëve të Aleks Nikajt, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, askush nuk do i shpëtojë drejtësisë. Ne s’kemi më punë sot në këtë sallë. Vazhdoni vetë diskutimet”, u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar socialist Saimir Tahiri, ndërsa deputetët braktisën punimet. “Këta janë mësuar që në këtë sallë, 50 vite, të bënin edhe prokurorin edhe gjykatësin dhe kërkonin varje në litar. Harrojeni. Kohët kanë ndryshuar”, u kundërpërgjigj kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli.

Pak më vonë edhe kryetari socialist Edi Rama do të reagonte nga selia e partisë së tij duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Sali Berisha: “Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë edhe se vetë atyre, kryeministrit që i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj të cilët me urdhër nga lart, e pushkatojnë në publik drejtësinë njësoj siç pushkatoi garda katër dëshmorët e 21 janarit”.

Nga ana e tij zoti Berisha evitoi të komentonte vendimin e sotëm të gjykatës: “Sot dhe asnjëherë nuk do më gjeni ju mua kurrë të komentoj vendime gjykatash. Ky vend ka sistemin e drejtësisë dhe sistemin e akuzës”

Reagime të forta pati edhe nga familjarët të cilët i deklaruan mediave të këtushme se do ta vinin vetë në vend drejtësinë. Cështja e 21 janarit ka qenë ne fokusin edhe të komunitetit ndërkombëtar. Në vigjilje të përvjetorit të dytë të kësaj ngjarje ambasadorët e BE, Shteteve të Bashkuara dhe Osbe-së kishin bërë thirrje për një proces të paanshëm dhe të pandikuar nga politika.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG