Lidhje

21 Janari, Rama akuza drejtësisë


Pesë vjet pas vrasjes së katër protestuesve pranë godinës së qeverisë. Debate të forta në parlament

Në Shqipëri sot u kujtuan ngjarjet e 21 Janarit të vitit 2011 ku 4 protestues u vranë gjatë një manifestimi të dhunshëm të opozitës së atëhershme. Kryeministri Edi Rama në takim me familjarët e tyre lëshoi akuza të forta ndaj drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë që prej më shumë se 2 vjetësh po mban pezull hapjen e procesit gjyqësor për këtë çështje

Kujtohet 21 janari
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

“U bënë pesë vite që Ziveri u vra përpara kamerave. Drejtësia hesht. Nuk flet. Drejtësi duam. Ku ta gjejmë. U bënë 5 vite dhe nuk flet. Kush do flasë?”. Pranë varrit të vëllait të saj, Ziver Veizi, një prej katër protestuesve të vrarë më 21 Janarin e vitit 2011, e motra e tij ashtu si dhe familjarët e viktimave të tjera, janë ende në kërkim të drejtësisë për atë ngjarje. Procesi gjyqësor ende nuk është mbyllur.

Pikërisht drejtësisë së munguar për rastin e 21 Janarit i mëshoi kryeministri Edi Rama në takimin që ai pati sot me familjarët e katër të vrarë në dyert e godinës së qeverisë. “Çdonjëri nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, që qysh prej vitit 2013 mban të varrosur dosjen e 21 janarit pa guxuar ta nxjerrë në dritën e gjykimit, është sot drejtpërdrejtë i akuzuar si fajtor për vuajtjen tuaj 5-vjeçare në kërkim të drejtësisë. Fakti rrënqethës se dosja e 21 janarit është e vetmja dosje e mbetur pa gjykuar nga viti 2013, në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka kohë që ka nisur punën me dosjet e vitit 2014, del dhe tepron për të kuptuar se kush e ka kapur për fyti drejtësinë shqiptare, përmes gjykatësish që një Zot e di, sesa më të rënduar nga sa mund ta përfytyrojmë ne, e kanë ndërgjegjen e tyre”.

E ndërsa më pas kryeministri së bashku me familjarët e viktimave të 21 Janarit ishte në bulevard duke vënë lulet në vendet ku ata u vranë, për këtë cështje kishin nisur debatet dhe në sallën e parlamentit.

“Si sot 5 vjet më parë, fallangat e krimit bënë përpjekje monstruoze të përmbysjes me dhunë të pushtetit të dalë nga vota e qytetarëve. Organizuan pucin famëzi të 21 Janarit. Bënë cdo gjë që të merrnin me dhunë pushtetin”, deklaroi ish kryeministri Sali Berisha, i cili bëri përgjegjës zotin Rama për atë që ndodhi, ndërsa u kujtoi socialistëve se njëri prej komandantëve të Gardës, pjesë e të ashtuquajturit grup i zjarrit, është tashmë kryetar i partisë së tyre në rrethin e Matit

Me zotin Berisha replikoi ashpër nënkryetari i grupit socialist Erion Brace: “Për 21 Janarin nuk ka amnisti, pavarësisht se ku është, pavarësisht se kush është në PS, në PD, në PR. Kudo që të jetë. Nuk ka amnisti Sali Berisha. Nuk ka parti politike që do të të japë amnisti ty, apo kujtdo që nga hetimet e plota të të gjithë kësaj cështjeje do të dalë i implikuar”.

Për ngjarjet e 21 Janarit Gjykata e Apelit shpalli fajtor për "vrasje nga pakujdesia", në tetor të vitit 2013, ish komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe oficerin e njësisë special Agim Llupo. Dënimi për ta ishte 1 vit burg për Prendin dhe 3 vite për Llupon. Më parë gjykata e Tiranës i kishte shpallur të pafajshëm, ndërsa prokuroria kishte kërkuar respektiviosht 23 dhe 25 vite burg.

XS
SM
MD
LG