Lidhje

Japonia, përpjekje intensive për lirimin e pengjeve


Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe thotë se vendi i tij është në “garë me kohën” për të liruar dy pengjet e marra nga grupi Shteti Islamik, që kërkon 200 milionë dollarë për lirimin e tyre.

Duke folur në një takim me zyrtarë të lartë në rezidencën e tij në Tokio, zoti Abe tha sot se i ka kërkuar zyrtarëve të përdorin çdo kanal të mundshëm diplomatik për të siguruar lirimin e Kenji Gotos and Haruna Yukawa-s.

Kryeministri japonez tha se vendi i tij nuk do të dorëzohet kurrë para terrorizmit. Japonia është zotuar të japë një ndihmë jo-ushtarake prej 200 milionë dollarësh për përpjekjet kundër ekstremistëve suni.

Forcat japoneze nuk janë pjesë e koalicionit nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara që ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri që nga muaji gusht.

Militantët e Shtetit Islamik publikuan dje një video, ku thuhej se do t’i vrisnin dy pengjet japoneze brenda 72 orësh, duke e lidhur këtë kërcënim sipas tyre, me mbështetjen nga Japonia të përpjekjeve për të luftuar grupin.

Por, edhe më parë, militantët islamikë kanë vrarë shtetas japonezë, siç ishte sulmi ndaj një uzine algjeriane të gazit në vitin 2013, ku u vranë 10 japonezë.

XS
SM
MD
LG