Lidhje

Kryeministri japonez do të vizitojë Shtetet e Bashkuara


Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe vjen javën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara për atë që zyrtarët amerikanë e shohin si vizitë që sinjalizon një fazë të re të Aleancës së Transpaqësorit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Luis Ramirez, kjo aleancë po evoluon përballë fiqizimit ushtarak dhe ekonomik të Kinës.

Uashingtoni po planifikon të mirëpresë kryeministrin e Japonisë me nderime të mëdha që u rezervohen vetëm miqve më të rëndësishëm: një ceremoni mirëpritjeje luksoze në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin Obama dhe një darkë shtetërore.

Dhe mbi të gjitha këto, Shinzo Abe do të jetë kryeministri i parë japonez që do të flasë para dy dhomave të Kongresit. Hera e fundit kur një kryetar shteti japonez ju drejtua ligjvënësve amerikanë, ishte në vitin 1961 dhe ai foli vetëm para Dhomës së Përfaqësuesve.

Zyrtarët amerikanë thonë se kjo vizitë përkon me 70 vjetorin e Marrëveshjes së Paqes mes të dy vendeve, armiq të ashpër gjatë Luftës së Dytë Botërore, por të cilat që nga ajo kohë janë bërë partnerë të fortë tregtie dhe aleatë ushtarakë.

Shtetet e Bashkuara, bazuar në një marrëveshje të pas luftës, i detyrohet Japonisë ndihmë në fushën e mbrojtjes, si dhe ta mbrojë atë nga armiqtë e jashtëm.

Në kushtet kur Kina po e zgjeron ushtrinë dhe po shpreh pretendime për ishujt Senkaku në Detin e Kinës Lindore, për të cilat ka pretendime edhe Japonia, Tokio ndjehet e kërcënuar. Vitin e kaluar, udhëheqësit japonezë i mirëpritën komentet e Presidentit Obama, kur gjatë një vizite në Tokio, ai ritheksoi detyrimet e Shteteve të Bashkuara sipas Traktatit të Sigurisë të vitit 1951, mes SHBA dhe Japonisë:

“Dua të përsëris, se traktati i përkushtimit tonë ndaj sigurisë së Japonisë është i padiskutueshëm, dhe Artikulli 5 i mbulon të gjitha territoret nën administrimin e Japonisë, përfshirë ishujt Senkaku.”

Por shkurtimet në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe dobësitë e vashdueshme të ekonomisë amerikane kanë shkaktuar shqetësime mes një pjese të japonezëve, si dhe kanë ngritur pikëpyetje në se SHBA po e zbatojnë planin e tyre për ta ndryshuar fokusin për tek rajoni i Azipaqësorit.

Kjo ndodh ndërsa Kina po i shton shpenzimet ushtarake dhe vazhdon të theksojë pretendimet e veta detare.

Meredith Miller, analiste në Zyrën Kombëtare të Studimeve për Azinë, një grup studimor në Uashington, thotë se prapa gjithë pompozitetit dhe rrethanave të vizitës së zotit Abe, ka një mesazh të rëndësishëm:

"Një nga gjërat që duan të bëjnë medoemos SHBA është të dërgojnë një sinjal të fuqishëm, jo vetëm drejt Kinës, por edhe për pjesën tjetër të rajonit, si dhe ndaj popullit japonez, se ato e vlerësojmë aleancën."

Përveç mbrojtjes, tregtia ka për të qenë në qendër të vizitës së zotit Abe. Zyrtarët amerikanë thonë se tregtia është një pjesë e rëndësishme e ribalancimit të SHBA në Paqësor. Synohet të vazhdojë përparimi drejt bllokut të tregtisë së 12 vendeve, tek i cili SHBA dhe Japonia, si ekonomitë më të mëdha, do të dominonin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest:

“Një nga çështjet kryesore që janë në plan të diskutohen, është statusi i negociatave për partneritetin Transpaqësor; me shpresën e rritjes së standarteve dhe krijimit të kushteve të favorshme ne mund të sigurojmë një marrëveshje e cila të jetë në inetersin më të mirë të Shteteve të Bashkuara, të bizneseve dhe punonjësve amerikanë, por nga i cili të me të drejtë, të përfitojë gjithashtu edhe ekonomia japoneze."

Që nga koha e fillimit të shkallëzimit të tensioneve për shkak të pretendimeve të Pekinit për Detin e Kinës Lindore, japonezët po e rishqyrtojnë strukturën e mbrojtjes. Këshilltarët e kryeminsitrit Abe kanë rekomanduar që Japonia ta interpretojë kushtetutën e saj, që lejon një forcë të kufizuar për t'u vetëmbrojtur, që të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e vendit.

Së shpejti pritet një njoftim për ndryshime në udhëzuesit që lidhen me mbrojtjen e Japonisë për herë të parë në 18 vjet, diçka që analistja Meredith Miller thotë se do të jetë një shenjë për ndryshimin e pejsazhit në Azinë Lindore:

“Ky është një hap me të vërtetë i rëndësishëm për të ardhmen, në realitetin aktual të botës, me të cilin SHBA dhe Japonia përballen tani, përsa i përket shqyrtimit të sfidave të sigurisë."

Zoti Abe do të shprehë me rastin e vizitës respektin për paqen dhe miqësinë mes të dy vendeve, duke vizituar memorialin e Luftës së Dytë Botërore në Uashington. Vizita e kryeminstrit japonez do të përfshijë edhe ndalesa në Boston, San Fransisko dhe Los Anxhelos.

XS
SM
MD
LG