Lidhje

Kryeministri japonez përpiqet të ruajë postin


Japonia po shqyrton mundësinë e zgjedhjes së kryeministrit të gjashtë brenda tre vjetëve. Naoto Kan, i cili ka vetëm tre muaj në postin e kryeministrit, përballet me rivalin e tij Ichiro Ozawa, brenda Partisë Demokratike. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman nga zyra e Azisë Verilindore në Seul, rivaliteti rrezikon ta përçajë partinë.

Vullnetarët në zyrat e fushatës së kandidatit Ichiro Ozawa, telefonojnë vazhdimisht anëtarët e Partisë Demokratike të Japonisë.

Ozawa, i cili është politikan i njohur në Japoni, njihet si “hija e shogunëve” një term që i referohet guvernatorëve ushtarakë që ka pasur vendi në shekullin e 17-të dhe të 18-të. Ai po përpiqet të fitojë udhëheqjen e partisë në zgjedhjet e sotme. Nëse fiton, ai do të zëvendësojë kryeministrin aktual, Naoto Kan.

Ozawa premton se do ta ndryshojë gjendjen e rëndë ekonomike të vendit.

Rivali i kryeministrit aktual thotë se ai gjithashtu do të rrëzojë muret e burokracisë. Ai thotë se në se premton diçka, ai e realizon.

Kryeministri Naoto Kan tregohet më i matur në deklaratat e tij. Ai thotë se shtimi i vendeve të punës dhe jo shpenzimet qeveritare janë kyçi i rigjallërimit të ekonomisë japoneze.

Zoti Kan shpreh vlerësimin e tij ndaj atyre personave, për të cilët ai thotë se e kuptojnë objektivin e tij. Dhe ai ka shumë më tepër mbështetje tek publiku, se sa rivali i tij.

Profesori Jeffrey Kingston i Universitetit Temple, në Tokio, parashikon se demokratët do të paguajnë një çmim të madh, në se zgjedhin Ozawan:

"Në se zgjidhet Ozawa, kjo do të jetë fatkeqësi për partinë, sepse publiku mbështet Kanin, në raportin 1 me 4. Populli japonez është i ngopur me stilin e politikave të Ozawas. Dhe në qoftë se politikanët e mbështesin Ozawan për të fituar në zgjedhjet brenda partisë, votuesit japonezë nuk do t'ia falin kurrë këtë Partisë Demokratike."

Fituesi përcaktohet nga ligjvënësit demokratë dhe në një masë më të vogël, nga zyrtarët partiakë dhe anëtarët e thjeshtë të partisë, por jo nga publiku i gjerë. Partia Demokratike kontrollon Dhomën e Ulët të Parlamentit, pra do të vazhdojë të zgjedhë kryeministrin.

Një problem për Ozawan është reputacioni i tij. Ai shihet si një njeri i prapaskenave, është akuzuar për korrupsion dhe një ekip gjyqësor do të vendosë së shpejti në se do të ngrejë akuza ndaj tij për financimin e një skandali politik.

Analistët politikë thonë se në se ai arrin të zgjidhet kryetar i partisë, skandalet etike mund ta bëjnë atë një udhëheqës të dobët dhe afatshkurtër.

Profesori Kingston i Universitetit Temple thotë se në se rizgjidhet kryeministri aktual, kjo mund të shkaktojë një tjetër problem për drejtimin e partisë. Kryeministri Kan, i cili në qeveritë e mëparshme ka qenë ministër i shëndetësisë dhe i financave, nuk ka përvojë në diplomaci. Ai ka vetëm disa muaj në pushtet dhe nuk ka patur kohë të formulojë politikën e jashtme, për shkak të problemeve ekonomike që ka patur vendi dhe të rivalitetit brenda partisë së tij.

Por në se zgjidhet kryeministër Otawa, ai mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në politikën e jashtme amerikane. Ai është kundër planit për largimin e bazës ushtarake amerikane nga Okinawa në një tjetër vend. Ai po ashtu ka bërë përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve mes Japonisë dhe Kinës.

Gjatë 3 vjetëve të fundit në Japoni janë ndryshuar disa here kryeministrat. Zoti Kan është i pesti në këtë periudhë tre vjeçare dhe i treti vetëm brenda këtij viti. Partia Demokratike e mundi në zgjedhje Partinë Liberal Demokrate që kishte dominuar për 6 dekada politikën japoneze. Tre kryeministra liberal-demokratë dështuan në fuqizimin e ekonomisë së vendit, apo për të siguruar më tepër mbështetjen e publikut.

Por Jukio Hatojama, i cili ishte kryeministri i parë i Partisë Demokratike pas një periudhe të gjatë, dha dorëheqjen pas më pak se një viti në post, pasi nuk përmbushi një premtim të fushatës, lidhur me bazën amerikane në Okinawa.

XS
SM
MD
LG