Lidhje

Japoni: Fillon procesi i pastrimit nga rrezatimi radioaktiv


Është mbushur një vit që nga tërmeti dhe cunami shkatërrimtar në Japoni. Katastrofat natyrore sollën edhe një kërcënim madhor në prefekturën e Fukushimës ku ndodhet centrali bërthamor Dai-chi.

Banorët e zonës u evakuuan për t’i shpëtuar rrezatimit nga centrali i dëmtuar si rezultat i cunamit. Tani, qeveria ka filluar të vërë në zbatim një projekt-pilot për të pastruar zonën nga rrezatimi, në mënyrë që banorët e zhvendosur të mund të rikthehen brenda pak vjetësh.

Projekti nuk ka arritur të eliminojë shqetësimet për rrezikun në zonë dhe efektivitetin e masave qeveritare.

Personeli i specializuar me veshje mbrojtëse kundër radioaktivitetit i është vënë punës për të larë çatitë, muret e shtëpive e rrugët nga gjurmët e lëndëve radioaktive. Më pas, ekipet do të zëvendësojnë shtresën e sipërme të dheut, me dhé të sjellë nga zonat e paprekura nga rrezatimi.

Të gjitha këto përpjekje janë pjesë e një projekti-pilot që po vë në zbatim Japonia për të normalizuar zonat pranë centralit bërthamor Dai-chi në Fukushima me qëllimin që një ditë të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre. Projekti filloi pasi qeveria njoftoi në dhjetor se 3 reaktorët e dëmtuar në Fukushima janë kthyer në funksionim normal dhe rrezatimi prej tyre është minimal.

Në bazë të planit të ri, qeveria synon që brenda dy vjetësh të ulë 50 për qind nivelin e ndotjes radioaktive në zonat më pak të prekura nga rrezatimi. Zyrtari i administratës lokale, Kusano Toshiaki shpjegon:

“Dekontaminimi kërkon vite të tëra. Autoritetet e Fukushimës kanë në plan ta vazhdojnë procesin për të paktën 5 vjet. Edhe pas 1-2 vjetësh punë, rrezatimi që sjell era nga malet drejt zonave të ulëta është i pashmangshëm. Duhet të tregohemi të duruar dhe të vazhdojmë punën. Por jam i bindur se po e vazhduam procesin, do të arrijmë një ditë sukses”.

Por vetë procesi shoqërohet me një numër të panjohurash. Askush nuk e di me saktësi se çfarë sasi mbetjesh radioaktive pritet të hiqen nga zona.

Në një kompleks të ri banimi në një qytet jo larg Fukushimës strehohen disa familje të evakuuara nga zona e ndotur. Themelet prej betoni të kompleksit u derdhën me zhavorr të ndotur nga radioaktiviteti i centralit. Zyrtarët thonë se niveli i radioaktivitetit është i padëmshëm, por banorët nuk ndjehen të sigurtë.

Çifti Yamazaki u evakuua nga banesa e tyre pranë centralit të dëmtuar dhe tani strehohet në këtë kompleks bashkë me vajzën dhe dy nipa. Apartamenti i tyre është tepër i vogël për pesë banorë, por Hiroki Yamazaki thotë se megjithatë, kthimi në banesën e mëparshme është jashtë diskutimit:

“Nuk mendoj se dekontaminimi jep rezultat, pavarësisht se sa shtresa dheu heqin nga zona. Nuk ndihem i sigurtë dhe nuk i besoj fjalëve të njeriu. Nuk ka shumë rëndësi për ne, pasi jemi të moshuar, por është ndryshe për nipat. Jam i përgatitur ta braktis qytetin tim”.

Ekipet e specializuara të pastrimit po heqin shtresën e sipërme të dheut në këtë shtëpi, duke përmbyllur procesin e pastrimit. Ekipet përdorin ekskavatorët për të gërryer 5 centrimetra dhé, të cilin do ta zëvendësojnë me dhé të sjellë nga zona të tjera.

Për ekspertin e energjisë bërthamore, profesorin e Universitetit Chubu Kunihiko Takeda, këto përpjekje janë thjeshtë një farsë e qeverisë japoneze:

“Qeveria japoneze po bën vetëm një shfaqje dekontaminimi, pa bërë gjë reale. Për të pastruar një zonë të ndotur nga rrezatimi, duhet të heqësh 5 centimetra nga shtresa e sipërme e dheut, 2 milimetra nga shtresa e asfaltit apo betonit dhe të heqin gjethet e pemëve. Përveç kësaj duhet të mblidhet dhe të pastrohet uji i përdorur për dekontaminim. Pa këto masa nuk mund të realizohet pastrimi i zonës”.- thotë ai

Një tjetër dilemë që shoqëron procesin e pastrimit është ku do të dërgohet dheu i ndotur që hiqet nga zona.

Thasë të mbushur me dheun dhe objektet e prekura nga rrezatimi, presin të transportohen, por me mbushjen e objekteve ekzistuese, destinacioni i tyre mbetet i paqartë. Qeveria qendrore ka filluar të diskutojë alternativat për largimin e dheut të kontaminuar, por nuk ka plane përfundimtare për magazinim të përkohëshëm deri në ndërtimin e një objekti për neutralizmin e tyre.

Problemi i mbetjeve të kontaminuara është një pengesë e madhe në procesin e pastrimit të zonës.

XS
SM
MD
LG