Lidhje

Japoni: Tjetër shpërthim në uzinën bërthamore

  • Zëri Amerikës

Japoni: Tjetër shpërthim në uzinën bërthamore

Japoni: Tjetër shpërthim në uzinën bërthamore

Zyrtarët në Japoni po përpiqen të ftohin 3 reaktorë bërthamorë në Japoninë verilindore të goditur rëndë nga tërmeti për të parandaluar shkrirjen e mundshme të centralit bërthamor në Fukushima. Ata thanë se në një prej reaktorëve shufrat e nxehta bërthamore janë zbuluar dy herë.

Ndërkohë, një shpërthim i hidrogjenit tronditi sot uzinën bërthamore Fukushima Dai-ichi, duke shkaktuar një shtëllungë të madhe tymi dhe plagosur 11 punëtorë. Shpërthimi ishte i ngjashëm me atë që ndodhi të shtunën në reaktorin 1 të kësaj uzine. Problemet me reaktorët bërthamorë kanë ngjallur shqetësime brenda dhe jashtë Japonisë, si për jetën e njerëzve ashtu edhe për mjedisin.

Shpërthimi në reaktorin numër tre, që autoritetet po përpiqen me çdo kusht ta ftohin, vjen pas avarisë së rëndë që pësoi i tërë sistemi si rrjedhojë e tërmetit dhe cunamit të madh.

Nishiyama Hidehiko, zyrtar i sigurisë bërthamore:

"Në orën 11 e 1 minutë u dëgjua një zhurmë e madhe e shoqëruar me tym në reaktorin 3. Ka mundësi që të ketë ndodhur një shpërthim i hidrogjenit”, tha Nishiyama Hidehiko, zyrtar i sigurisë bërthamore japoneze.

Operatori i uzinës tha se nivelet e rrezatimit në reaktor ishin brenda kufijve të lejuar.

Sekretari i kabinetit, Yukio Edano e përshkroi kështu incidentin:

Yukio Edano, Sekretar i kabinetit

"Mendojmë se ka patur një shpërthim të ngjashëm me atë që ndodhi në reaktorin numër 1. Tani për tani mund të konfirmojmë se mbulesa mbrojtëse e reaktorit është e paprekur. Ekspertët parashikojnë se rrezatimi i çliruar do të jetë i ulët.”

Ekspertët thanë se nivelet e rrezatimit në këtë reaktor ishin shumë më të ulta se sa shifrat që e detyrojnë operatorin e uzinës t’i paraqesë një raport qeverisë.

Shpërthimi ishte i ngjashëm me atë që ndodhi të shtunën në reaktorin 1 të uzinës, nga i cili u plagosën 4 punëtorë dhe u shkaktuan evakuime në masë.

Agjencia japoneze për sigurinë bërthamore tha se në shpërthimin e së hënës u plagosën 11 punëtorë por ende nuk është e qartë se si ndodhën dëmtimet apo nëse ata ishin ekspozuar ndaj rrezatimit bërthamor.

Ena e brendshme e reaktorit ku ndodhen shufrat bërthamore është e padëmtuar, thanë zyrtarët, duke zbutur shqetësimet për dëmet që mund t’i sjellë kjo publikut dhe mjedisit.

Më shumë se 180 mijë njerëz janë evekuuar nga zona ditët e fundit dhe deri në 160 mijë vetë janë ekspozuar ndaj rrezatimit.

Në të katër uzinat bërthamore të japonisë verilindore ka patur njoftime për dëmtime por rreziku më i madh ka qenë ai në uzinën Dai-ichi të Fukushimës. Operatorët nuk janë në gjendje t’i ftohin tre reaktorët e kësaj uzine si dhe tre të tjerë në një kompleks aty pranë me procedurat e zakonshme sepse tërmeti ka shkaktuar mungesa në furnizimin me energji dhe cunami ka përmbytur gjeneratorët rezervë.

Operatorët vazhdojnë të hedhin ujë deti në reaktort 1 dhe 3, në një përpjekje të fundit për t’i ftohur ata. Uji i detit ka veti gërryese prandaj mund t’i bëjë reaktorët të papërdorshëm.

XS
SM
MD
LG