Lidhje

Kush është Arsenyi Jatseniuk


Udhëheqësi i opozitës ukrainase Arsenyi Jatseniuk, që dje mori emërimin për kryeministër i vendit, ka qenë ministër i jashtëm ukrainas dhe një aleat i fortë i simbolit pro-perëndimor të Ukrainës Julia Timoshenko.

Jatseniuk, një ndër tre udhëheqësit më të njohur të opozitës gjatë tre muajve të fundit të krizës politike, i diplomuar si ekonomist dhe jurist, paralajmëroi dje se qeveria e re është e përgatitur të ndërmarrë “hapa tepër jopopullore” për të stabilizuar ekonominë që është shumë pranë falimentimit.

“Ne jemi në buzë të greminës dhe kjo qeveri përbëhet nga njerëz të gatshëm për vetëvrasje politike. Nuk i trembemi ferrit,” tha ai për radion britanike.

39-vjeçari Jatseniuk lindi në një familje akademikësh në qytetin perëndimor të Çernivtsit. Gjatë dekadës së fundit ai ka shërbyer si kreu i Bankës Kombëtare të Ukrainës. Ai u zgjodh nga ligjvënësit ukrainas në vitin 2007 për të kryesuar parlamentin gjatë presidencës së Viktor Jushçenkos, por dha dorëheqjen pa u mbushur viti, kur përplasjet politike mbërthyen kryeqytetin ukrainas.

Gjatë krizës së fundit, ndërkohë që protestat vazhdonin me zjarr në Kiev muajin e kaluar, presidenti pro-rus Viktor Janukoviç u përpoq të rekrutojë zotin Jatseniuk, udhëheqës i Partisë Atdheu. Presidenti i ofroi atij postin e kryeministrit, por Jatseniuk e refuzoi ofertën, duke thënë se populli i Ukrainës duhet të vendosë të ardhmen e vendit, jo zyrtarët qeveritarë.

Analistët thonë se qeveria e përkohëshme mund të riorganizohet pas zgjedhjeve të 25 majit, duke lënë të paqartë të ardhmen politike të zotit Jatseniuk.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG