Lidhje

Kërkesa për energji dhe burimet ujore

  • Joe Capua

Java Botërore e Ujit këtë vit u shoqërua me paralajmërimin se rritja e kërkesës për energji po rrit kërkesën për rezerva ujore. Instituti Ndërkombëtar i Ujit në Stokolm organizoi një forum me ekspertë të shkencës, biznesit, autoriteteve drejtuese dhe shoqërisë civile për të diskutuar situatën.

Tema e takimit të sivjetshëm ishte Uji dhe Energjia. Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Maria van Der Hoeven thotë se uji dhe energjia kanë një lidhje kritike mes tyre.

“Uji dhe energjia janë burime dinamike të ndërvarura. Uji është një element i domosdoshëm pothuajse në të gjitha format e prodhimit energjetik. Po ashtu energjia është jetike për prodhimin e ujit të pishëm për përdorime të ndryshme. Mungesat në njërin prej këtyre burimeve mund të kenë ndikim të rëndë mbi tjetrin”.

Ajo thotë se moti i nxehtë që ka dëmtuar burimet ujore, ka ndikuar tek prodhimi i energjisë. Disa centrale energjetike që kanë nevoja të mëdha për ujë për sistemin e ftohjes, janë detyruar të kufizojnë prodhimin.

“Në Suedi në fillim të verës dy centrale bërthamore kufizuan prodhimin e energjisë si rezultat i motit të nxehtë. Në Indi, vonesat në sezonin e monsuneve në vitin 2012 rritën kërkesat për energji ndërkohë që prodhimi nga hidrocentralet ra, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë për disa ditë. Kjo situatë preku mbi 600 milionë vetë”.

Shefja e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë thotë se uji është një faktor kritik në Amerikën e Veriut ku sektori i gazit dhe naftës ka përjetuar një rritje të madhe vitet e fundit:

“Parashikojmë që kërkesat për ujë dhe energji të rriten, prandaj është e rëndësishme të kuptojmë lidhjen mes këtyre burimeve, të parashikojmë momente të vështira në të ardhmen dhe të zbatojmë politika dhe praktika që u përgjigjen këtyre rreziqeve. Perspektiva e ndryshimeve klimatike do të ndikonte edhe më thellë mbi formën që do të marrë sektori i energjetikës dhe burimet ujore si dhe cilësia e ujit që përmbajnë këto burime”.

Ajo thotë se në bazë të ritmeve aktuale parashikohet që kërkesa për energji të rritet 33% deri në vitin 2035. Kjo rritje vjen kryesisht nga Kina, India, Azia Juglindore dhe Lindja e Mesme.

Zonja Van der Hoeven thotë se studimet tregojnë se nafta, gazi dhe qymyrguri do të vazhdojnë të jenë burimet kryesore energjetike edhe për disa dekada të tjera, pavarësisht nga rritja e prodhimit nga burime të energjisë së ripërtëritshme. Përdorimi i burimeve fosile do të rezultojnë në nivele të larta të gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe do të ndikojë negativisht tek ndryshimet klimatike.

“Ritmet e përdorimit të ujit në sektorin energjetik janë tepër të larta. Prodhimi dhe transporti i energjisë tani përfaqësojnë 15% të ujit që përdoret në botë, ose sektorin e dytë për nga sasia e ujit të konsumuar, pas bujqësisë. Me fjalë të tjera, sasia e ujit që përdoret sot nga sektori energjetik është e barasvlefshme me prurjet e lumejve Misisipi dhe Gang, dy prej lumenjve më të mëdhenj në botë”.

Zonja Van der Hoeven thotë se mbi 90% e ujit që përdor sektori energjetik shërben për të ftohur centralet bërthamore. Kërkesa në këtë sektor pritet të rritet dhe do të ndikojë në zhvillimet ekonomike të së ardhmes:

“Parashikojmë që mungesa e furnizimit me ujë të vërë nën presion të vazhdueshëm efikasitetin e disa projekteve energjetike”.

Pritet që ndryshimet e ardhshme klimatike të sjellin thatësira më të shpeshta që do të ndikojnë negativisht tek rezervat e ujit të që përdoret për projektet energjetike. Zonja Van Der Hoeven thotë se këto zhvillime do të kenë pasoja shumë të dukshme në projektet në Lindjen e Mesme, si për shembull në planet e Irakut për të rritur prodhimin e naftës, që deri në vitin 2020 mund të kërkojë deri në 700 mijë fuçi uji në ditë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se nëse nuk merren në shqyrtim këto sfida të rezervave ujore, mund të bjerë besimi i publikut tek sektori i naftës dhe gazit. Ajo thotë se ndër zgjidhjet e mundshme është rritja e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, modernizimi i centraleve energjetike duke i pajisur me sisteme ftohjeje më të avancuara për të kursyer ujë, si dhe mbjellja e kulturave bujqësore që përdoren për biokarbure në zona me shira të dendur, ku nuk është e nevojshme vaditja.

XS
SM
MD
LG