Lidhje

SHBA, imigracioni - një çështje urgjente


Kongresi amerikan ka filluar një pushim pesë-javor, pa zgjidhur problemin e dhjetëra mijëra të rinjve pa dokumente nga Amerika Qendrore që përpiqen të hyjnë nga kufiri meksikan. Siç njofton Michael Bowman i Zërit të Amerikës, vëmendja tashmë është përqendruar në veprimet ekzekutive që mund të ndërmarrë Presidenti Barack Obama duke anashkaluar Kongresin.

Kriza në kufi vazhdon, por ligjvënësit po largohen për pushime pa miratuar një ligj për imigracionin që mund të nënshkruhet nga Presidenti.

"Pa burime shtesë dhe ndihmë nga Kongresi, ne nuk do të kemi burimet e nevojshme për të zgjidhur plotësisht problemin. Pra, ndërsa ata janë me pushime, mua do të më duhet të marr vendime të vështira për të përballuar sfidën me ose pa Kongresin," tha Presidenti Obama.

Të premten, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projekt-ligj për të forcuar sigurinë dhe përshpejtuar deportimet në kufi. Por projekt-ligji nuk u pranua nga demokratët e Senatit dhe nga Presidentit. Ndërkaq, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan për të ngritur padi kundër Presidentit për veprimet ekzekutive të ndërmara prej tij në të kaluarën. Kryetari i Dhomës, John Boehner e paralajmëroi zotin Obama që të mos nxjerrë më urdhra ekzekutivë për imigracionin.

"Kriza në kufi është shkaktuar nga vetë Presidenti. Por ai ende nuk ka nxjerrë mësim. Tani ai ka kërcënuar se do të ndryshojë ligjin dhe do të marrë masa të tjera të njëanshme mbi emigracionin në muajt e ardhshëm. Një veprim i tillë do të nxiste kalimet e paligjshme të kufirit dhe do ta rëndonte krizën në kufi," tha zoti Boehner.

Presidenti Obama i ka kërkuar rekomandime Prokurorit të Përgjithshëm Erik Holder. Sipas këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Pfeiffer, asgjë nuk është vendosur ende.

"Presidenti Obama do të bëjë sa mundet, por në bazë të asaj që lejon ligji," tha zoti Pfeiffer.

Edhe pasi ligjvënësit të kthehen në shtator, nuk pritet që Kongresi të ndërmarrë ndonjë veprim të guximshëm për emigracionin apo çështje të tjera të ndjeshme, ndërkohë që në nënton do të zhvillohen zgjedhjet e mesit të mandatit.

XS
SM
MD
LG