Lidhje

Këtë javë në Uashington


Presidenti Barak Obama filloi një javë pushime, ndërkohë që edhe anëtarët e Kongresit dhe të Gjykatës së Lartë nuk janë në punë. Qarqet politike të Uashingtonit mund të jenë të qeta këtë javë, por në shumë shtete pritet të zhvillohen demonstrata të mëdha lidhur me reformën e imigracionit, një prej çështjeve më të nxehta me të cilat përballet vendi.

Presidenti dhe zonja Obama dukeshin të qetë ndërsa mbërrinin në vend pushimin Martha’s Vineyard në Massachusetts.

Ndërkohë, anëtarët e Kongresit kanë shkuar në distriktet e tyre, ku përballen me presione të mëdha për reformën e imigracionit nga një spektër i gjerë aktivistësh. Disa kërkojnë miratimin e një procesi që do të çonte në dhënien e shtetësisë amerikane 11 milion imigrantëve pa dokumente.

“Ka njerëz këtu që thjesht duan të jetojnë ëndrën amerikane, por disa prej nesh nuk e kemi këtë fat,”thotë ky demonstrues.

Aktivistë të tjerë u kërkojnë ligjvënësve që të përqëndrohen në frenimin e imigracionit të paligjshëm.

“Ne duam të forcojmë kërkesën për sigurimin e kufijve dhe që imigrantëve pa dokumente të mos u jepet amnisti”.

Një projekt-ligj i miratuar në Senat, që do të shtonte masat e sigurisë si dhe do të siguronte më në fund marrjen e shtetsisë amerikane, përballet me kundërshtime të ashpra në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane.

Para se të nisej për pushime, Presidenti Obama u bëri thirrje ligjvënësve që të gjejnë një konsensus.

“Do t’u kërkoja anëtarëve të Kongresit, që kur të kthehen në Uashington të miratojnë një projekt-ligj. Ekonomia jonë do të ishte 1 trilion dollarë më e fuqishme nëse miratojmë reformën e imigracionit”.

Zoti Obama premtoi gjithashtu të punojë me Kongresin për zgjidhjen e shqetësimeve të privacisë lidhur me programin e qeverisë federale të përgjimit të tabulateve telefonike, që u ekspozua nga ish punonjësi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare - NSA, Edward Snowden.

“Është e drejtë të bëhen pyetje rreth survejimeve, veçanërisht tani që teknologjia ndryshon çdo aspekt të jetës sonë”, tha Presidenti.

Ligjvënës të të dyja partive kanë hartuar propozime për reformimin e NSA-së.

“Projekt-ligji, që unë kam propozuar, dhe që do të përpiqem të miratohet, do të kufizonte mënyrat me të cilat agjencitë e zbulimit ndërhyjnë në jetën private, në tabulatet telefonike të amerikanëve të pafajshëm. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen”, tha senatori Mark Udall.

Por presidenti dhe shumë anëtarë të Kongresit theksojnë se Amerika duhet të vazhdojë të ketë aftësi të fuqishme për grumbullimin e informacionit të zbulimit, siç u provua nga kërcënimi terrorist i javës së kaluar, i cili u bë shkak për mbylljen e shumë ambasadave dhe konsullatave amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore.
XS
SM
MD
LG