Lidhje

Këtë javë në Uashington


Edhe një herë tjetër, qeveria federale përballet me mundësinë e ndërprerjes së funksioneve të përditshme si pasojë e një Kongresi politikisht të përçarë, të paaftë për të rënë dakord mbi shpenzimet federale. Këtë javë, Senati pritet të miratojë një projekt-ligj mbi shpenzimet e përkohshme, që nuk përputhet me projekt-ligjin e miratuar javën e kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Në qoftë se të dyja dhomat e Kongresit nuk miratojnë një projekt-ligj identik, një pjesë e agjencive qeveritare do të ndërpresin punën e përditshme, duke filluar nga 1 tetori.

Të premten, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane miratoi buxhetin federal për të gjitha agjencitë, me përjashtim të ligjit të Presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetsor. Ja si u shpreh anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Cathy McMorris Rodgers:

“Dhoma e Përfaqësuesve veproi për ta mbajtur hapur qeverinë federale, për të kontrolluar shpenzimet dhe për të mbrojtur popullin nga një ligj jofunksional, që vështirëson jetën e tij”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner foli me tonet e një fitimtari:

“Populli amerikan nuk e do mbylljen e qeverisë, por ai nuk do as ligjin e kujdesit shëndetësor. Dhoma e Përfaqësuesve e dëgjoi popullin amerikan. Tani është koha që edhe anëtarët e Senatit të dëgjojnë popullin amerikan”.

Toni i ngazëllyer nuk u dëgjua në Senatin e kontrolluar nga demokratët, me në krye senatorin e Nevadës, Harry Reid:

“Çdo projekt-ligj që nuk financon ligjin e kujdesit shëndetsor është i dështuar. Siç e kam thënë edhe më parë, kjo është humbje kohe”.

Demokratët thonë se do të votojnë vetëm për të autorizuar shpenzimet që përfshijnë edhe ligjin e kujdesit shëndetsor, i cili synon të shtojë numrin e amerikanëve me sigurime shëndetsore. Ja si u shpreh Senatori Charles Schumer:

“Ne nuk do të zbrapsemi. As mos t'ju shkojë në mëndje se ne do të zbrapsemi!”

Ligjvënësit demokratë kanë mbështetjen e plotë të Presidentit Obama, i cili vazhdimisht i ka kritikuar ashpër republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, madje i ka akuzuar ata për vënien në rrezik të rimëkëmbjes ekonomike të Amerikës.

“Ata në fakt do ta zhysnin vendin përsëri në recesion vetëm për t’u mohuar miliona amerikanëve sigurinë bazë të kujdesit shëndetsor, por kjo nuk do të ndodhë”.

Nëse Senati miraton një projekt-ligj, që do të financonte ligjin e kujdesit shëndetsor, atëhere vemendja do të përqëndrohet përsëri tek Dhoma e Përfaqësuesve, ndërkohë që mbeten vetëm pak ditë nga afati i ndërprerjes së punës së shumicës së agjencive federale.
XS
SM
MD
LG