Lidhje

Ekspozitë me këngëtarët e xhazit


Disa nga këngëtarët më të mëdhenj të xhazit në Amerikë janë pasqyruar në një ekspozitë të re në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Fotografi dhe video të rralla, së bashku me shënime personale dhe skicime, japin një dritë të shkurtër në kompleksitetin e këtyre artistëve që nga vitet 1920 deri sot. Edhe pse shumë prej tyre kanë vdekur, trashëgimia e tyre muzikore vazhdon të jetoj.

“Kur një këngëtare si Billie Holiday interpreton, ndjen diçka përtej asaj që ndjen me lirikën e këngës. Mund ta dëgjosh atë, ta ndjesh atë”, thotë Larry Appelbaum, kurator i ekspozitës.

Ai thotë se jeta e trazuar e Holiday-it pasqyrohet në këngët e saj rreth trishtimit dhe dhimbjes dhe se këngëtarët e xhazit kanë interpretuar një diapazon të gjerë muzikor që nga tingujt ritmikë tek këngët popullore dhe muzika origjinale. Stilet e tyre, thotë ai, janë aq të dallueshme sa edhe zërat e tyre.

“Ata kanë ritëm dhe me ritëm dua të them një qasje tjetër ndaj tempit dhe kohës. Është një ritëm që nuk ke si mos e shoqërosh. Shpesh herë ata improvizojnë. Disa here përdorin rrokjet në vend të tekstit”, shpjegon Larry Appalbaum.

Këtu përfshihet Ella Fitzgerald, një vokaliste e shkëlqyer, karriera e së cilës u shtri në gjashtë dekada.

“Instrumentistët punonin me të dhe ajo dilte dhe këndonte si në një kor duke përdorur rrokje të pakuptimta që tingëllonin tamam si një saksofon apo trombonë.

Xhazi – një zhanër muzikor origjinal amerikan – filloi me ansamblet afrikano amerikane në Nju Orlins rreth fillimit të shekullit të 20. Por ishte Louis Armstrong, trumpetisti dhe këngëtari që e transformoi xhazin në vitet 1920 duke përfshirë një solist, duke ndryshuar ritmin klasik të muzikës.

"Ai krijoi diçka që nuk ishte dëgjuar më parë,” thotë kuratori.

Vitet 1950 ishin të arta për këngëtarët e xhazit.

Arnold DeVille i kujtohet kur shikonte disa nga vokalistët më të mëdhenj të xhazit në television në vitet 1960.

“Më sjellin kujtimet kur isha i ri, kur xhashai dhe halla kërcenin me këto këngë”, thotë një vizitor.

Sot, një brez i ri këngëtarësh po transformojnë xhazin me stilin e tyre.

“Ata nuk këndojnë ato që u pëlqenin prindërve të tyre, megjithëse ka gjithmonë një audiencë për to. Ata këndojnë rreth temave dhe subjekteve që janë të rëndësishme për audiencën e re”, thotë zoti Applebaum.

Kështu ata e mbajnë xhazin gjallë për brezat e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG