Lidhje

Jeb Bush shqyrton kandidimin për president


Jeb Bush, djali i njërit prej presidentëve amerikanë dhe vëllai i një tjetër presidenti, thotë se ka vendosur “ta shqyrtojë në mënyrë aktive” çështjen në se do të kadidojë për president në zgjedhjet e vitit 2016.

Jeb Bush ka qenë guvernator i Floridës, një shtet që ka qenë kurdoherë i rëndësishëm për betejën politike të zgjedhjeve presidenciale që mbahen një herë në katër vjet.

61-vjeçari Bush njoftoi të martën në faqet e tij në Facebook dhe Twitter, se gjatë Festës së Falenderimeve kishte diskutuar për mundësinë e hyrjes në garë, për të siguruar emërimin e Partisë Republikane si kandidat i saj për në zgjedhjet presidenciale. Ai tha se tani është duke planifikuar për krijimin e një instrumenti për grumbullimin e fondeve, që do ta lejonte atë të udhëtonte nëpër Shtetet e Bashkuara, për të folur me votuesit lidhur me të ardhmen e vendit, para marrjes së një vendimi për të hyrë në garë.

Ai është vëllai i vogël i ish presidentit George W. Bush, që u largua nga posti në vitin 2009, pas dy mandatesh në Shtëpinë e Bardhë, dhe djali i ish-presidentit George H.W. Bush, i cili ishte president për një mandat, nga 1989 në 1993.

Jeb Bush është njëri nga mbi 12 kandidatët e mundshëm republikanë, që po shqyrtojnë mundësinë e kandidimit në garën brenda partisë për të siguruar emërimin e saj në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Ai konsiderohet si një kandidat i preferuar i Partisë Republikane, ndërsa rivalët e tij brenda partisë zakonisht kanë pikëpamje më konservatore për imigracionin, arsimin dhe çështje të tjera.

Sipas Kushtetutës amerikane, Presidenti Barack Obama, i Partisë Demokrate, nuk mund të kandidojë për një mandate të tretë. Ish Sekretarja e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, bashkëshortja e ish presidentit Bill Clinton, po shqyrton mundësinë e kandidimit në garën për emërimin e Partisë Demokrate, për të pasuar zotin Obama, por nuk pritet ta njoftojë vendimin e saj për dia muaj.

XS
SM
MD
LG