Lidhje

Jemeni: Ushtria vrau 37 të dyshuar si militantë të al-Kaidës


Zyrtarët në Jemen thonë se ushtria ka vrarë 37 të dyshuar si militantë të al-Kaidës gjatë luftimeve të rënda në jug të vendit.

Ministria e mbrojtjes thotë se luftuesit u vranë gjatë natës mes përleshjeve dhe sulmeve ajrore në qytetin e Meyfaa gjatë një operacioni disa-ditësh për të dëbuar al-Kaidën nga provincat jugore Abyan dhe Shabwa.

Agjencia e lajmeve jemenase Saba citoi një burim ushtarak të ketë thënë se ndër të vrarët përfshihen sauditë, afganë, somalezë, çeçenë dhe njerëz të kombësive të tjera.

Të shtunën, Jemeni tha se një operativ kryesor i al-Kaidës, i identifikuar si çeçeni Abu Islam al-Shaishani, u vra gjatë luftimeve në Abyan.

Gjatë viteve të fundit, Al-Kaida në Gadishullin Arabik (AQAP) ka ndërmarrë sulme të shumta ndaj ushtarakëve, turistëve dhe diplomatëve në Jemen.

Muajin e kaluar, dega jemenase e grupit u zotua të kryente më shumë sulme kundër atyre që ajo i quan “kryqtarët perëndimorë.”
XS
SM
MD
LG