Lidhje

Takim historik izraelito-palestinez


Negociatorët izraelitë dhe palestinezë u takuan të mërkurën në Jeruzalem, pas bisedimeve përgatitore dy javë më parë në Uashington. Mjetet e informimit nuk lejohen në këtë rifillim historik të bisedimeve të paqes.

Qeveria izraelite transmetoi vetëm një video të shkurtër, që tregonte negociatorët izraelitë, Tzipi Livni dhe Yitzak Malcho duke shtrënguar duart me negociatorin palestinez, Saeb Erekat në një vend të panjoftuar të Jeruzalemit. Ndërmjetësi amerikan, Martin Indyk dhe Ambasadori amerikan në Izrael, Martin Shapiro u panë gjithashtu duke shkuar në vendin e bisedimeve.

Analistja Lucy Kurtzer-Ellenbogen, në Institutin amerikan të Paqes, thotë se bisedimet u zhvilluan larg vemendjes së publikut me shpresë se do të kenë një mundësi më të mirë për sukses:

“Në se hiqet presioni, vemendja e publikut dhe shpresat e mëdha, ekipeve negociatore u krijohen hapësira të ulen dhe të bisedojnë me seriozitet e ndoshta edhe të bëjnë një farë përparimi”.

Palestinezët festuan të mërkurën mbrëma lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli, natën përpara fillimit të bisedimeve. 15 prej tyre u kthyen në Gaza dhe 11 në Bregun Perëndimor. Banori i Bregut Perëndimor, Nihad Jundiyeh ishte adoleshent kur u burgos:

“U arrestova kur isha 16 vjeç dhe bëra 24 vjet burg. Gjatë këtyre viteve ëndëroja të ulesha me familjen time të haja mëngjes. Sot unë jam njeriu më i lumtur sepse ëndra mu bë realitet”.

Në informacionin zyrtar të Izraelit thuhej se të 26 palestinezët e liruar po kryenin dënime për pjesëmarrje në vrasjen e izraelitëve dhe shumica e tyre ishin gjetur fajtorë për vrasje.
Izraelitët protestuan kundër planeve të qeverisë për të liruar 104 palestinezë të burgosur, por në Jeruzalem, shumë banorë thanë se mirëpritën rifillimin e bisedimeve, pavarësisht rezultatit të tyre:

“Mendoj se bisedimet janë një gjë pozitive. Për sa kohë që njerëzit angazhohen në bisedime, ata nuk përdorin armët”.

Pas dekadash konflikti, ekziston shumë pak besim mes dy palëve. Disa palestinezë, që kanë përjetuar ndërtimet e vazhdueshme të vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara kanë frikë se paqja mund të mos arrihet kurrë:

“Nuk ekziston një partner i vërtetë për paqe. U kemi dhënë atyre shumë mundësi për bisedimet e paqes me udhëheqjen tonë, ndërkohë që ne kemi të drejtë të jetojmë në paqe, por izraelitët nuk duan që ne të qëndrojmë në tokën tonë”.

Të tjerë janë më optimistë. Palestinezi Fuad Atun është shofer taksie në Jeruzalem:

“Ne jemi tashmë në paqe. Kur nuk ka luftime, kur nuk ka kryengritje, ka paqe. Pra cili është ndryshimi? Secili ka besimin e vet fetar, secili ka shtëpinë e vet, biznesin e vet dhe askush nuk lufton”.

Askush nuk lufton’ është pikërisht ajo që duan shumica e njerzve të thjeshtë nga të dyja palët, por udhëheqësit e tyre ndodhen nën presion që të kënaqin grupe të ndryshme interesi.

Disa orë para takimit të djeshëm, ushtria izraelite bombardoi dy zona në Rripin e Gazës në atë që zyrtarët e cilësuan si përgjigje ndaj një rakete të hedhur të martën nga territori palestinez në Izraelin jugor. Udhëheqësit e Hamasit në Gaza kundërshtuan pjesëmarrjen palestineze në bisedimet e paqes dhe e kritikuan Presidentin Mahmoud Abbas për ato që ata i shikojnë si lëshime ndaj Izraelit.

XS
SM
MD
LG