Lidhje

Katër të vrarë gjatë një sulmi në Jerusalem


Sulmi është incidenti i fundit në përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem dhe Bregun Perëndimor gjatë muajit të fundit

Dy palestinezë të armatosur me hanxhar dhe një armë zjarri, hynë në një sinagogë të Jeruzalemit sot, duke vrarë katër besimtarë gjatë lutjeve të mëngjesit para se të vriteshin nga policia.

Sulmi ndodhi në një zonë ultraortodokse të qytetit me shumë imigrantë nga vendet perëndimore. Policia thotë se katër të vrarët ishin izraelitë me shtetësi të dyfishtë, tre nga të cilët ishin amerikanë dhe i katërti britanik.

Gjashtë vetë u plagosën. Një ndër ta ishte shtetas kanadez. Sulmi ndodhi në një atmosferë të acaruar, ku janë shtuar incidentet e dhunshme në Jeruzalem dhe Bregun Perëndimor gjatë muajit të fundit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do t’i përgjigjet sulmit.

“Erdhëm të lutemi sot në mëngjes, po hynim në sinagogë dhe dëgjuam të shtëna nga kati i poshtëm. Dëgjuam një krismë, dy dhe pastaj të tjera, të paktën pesë, gjashtë ose shtatë dhe dolëm të gjithë jashtë. Mesa dimë një person u vra ose u plagos rëndë dhe të gjithë filluan të telefonojnë policinë dhe ata erdhën dhjetë minuta më pas dhe kaq mund të them”.

Një zëdhënëse e policisë tha se sulmuesit ishin të armatosur me sëpata dhe revole ndërkohë që ata sulmuan sot gjatë lutjeve të mëngjesit në zonën Har Nof të qytetit.

Zëdhënësja i quajti të dyshuarit "terroristë", dhe tha se ata u qëlluan për vdekje nga policia.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka zhvilluar një bisedë telefonike me zotin Netanyahu për t’i shprehur ngushëllimet e tij. Ai u tha gazetarëve në Londër se sulmi ishte një "akt i pastër terrori".

“I bëj thirrje udhëheqjes palestineze në çdo nivel, që ta dënojnë me forcë këtë akt. Kjo dhunë nuk ka vend askund”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu fajësoi atë që ai e quajti "nxitje", nga grupi militant Hamas dhe Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas që ai thotë se komuniteti ndërkombëtar i ka injoruar.

Por zoti Abbas e dënoi gjithashtu sulmin disa orë më pas.

Sulmi është incidenti i fundit në përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem dhe Bregun Perëndimor gjatë muajit të fundit.

XS
SM
MD
LG