Lidhje

Amb. Baily: Maqedonia nuk duhet të nxitohet për zgjedhje


Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily u bën thirrje forcave politike në Maqedoni të mos nxitohen për zgjedhje të parakohëshme. Zoti Baily tha në një intervistë me korrespondentin e shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, Borjan Jovanovski se ka një numër problemesh që do të jetë e vështirë të ndreqen brenda 24 prillit.

Zëri i Amerikës: VMRO-DPMNE në pushtet e cilësoi raportin e SHBA dhe BE si politik. Cila pjesë e raportit mendoni se ka çuar tek një cilësim i tillë?

Jess Baily: Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën kritere në letrën tonë të 28 janarit në mënyrë që të ishim tërësisht transparentë lidhur me ato që do të vlerësonim. Të gjitha partitë, përfshirë drejtuesit e VMRO-DPMNE-së, mirëpritën qasjen tonë dhe nuk ngritën shqetësime, sa i përket kritereve. Vlerësimin tonë e dhamë më 20 shkurt se shumica e atyre kritereve nuk ishin plotësuar. Në të shumtën e rasteve nuk kishte vlerësim subjektiv por vetëm përgjigje me po ose jo në pyetje.

Zëri i Amerikës: Cila ishte metodologjia sipas së cilës ju përgatitët raportin? Cilat ishin burimet kryesore të informimit që çuan në konkluzionin se Maqedonia nuk është e përgatitur të organizojë një proces të drejtë dhe demokratik zgjedhor në muajin prill?

Jess Baily: Sa i përket kritereve që kanë të bëjnë me KSHZ, ne thjeshtë siguruam përgjigje për pyetjet që ishin shtruar në letrën e 28 janarit – nëse KSHZ kishte ekip të plotë dhe kishte siguruar fonde; se a kishte përfunduar KSHZ-ja kontrollet korresponduese të të dhënave bazë; se a ishin përgatitur planet e dakorduara për kontrollin në terren, për heqjen e emrave të cilët nuk ekzistojnë dhe për krijimin e një mekanizmi për ankesa. KSHZ i siguroi këto përgjigje dhe ekspertët ndërkombëtarë të zgjedhjeve shtuan disa hollësi.

Lidhur me reformat në media, pyetja më direkte ishte se a ka pajtim për reformën e medias. Nuk kishte. Mbi kërcënimin e votuesve dhe gërshetimin e interesave shtetërore me ato partiake, ishte po ashtu lehtë për t’u përgjigjur se a kishin bërë zyrtarë të lartë publikë deklarata konstruktive publike. Kryeministri Emil Dimitriev dhe Z. Gruevski kishin bërë, edhe BDI kishte trajtuar çështje të tilla në platformat e tyre.

Vlerësimi ynë mbështetet po ashtu edhe tek një sërë bisedash dhe zyrtarët qeveritarë, përfaqësues të medias, grupe të shoqërisë civile me vëzhgime të bëra si dhe me mbikëqyrjet tona.

Zëri i Amerikës: Siç keni njoftuar një muaj më parë, kriteret kyçe për këtë raport janë përgatitjet për Listën zgjedhore, ndarja mes shtetit, partive politike dhe medias. Do te dëshiroja që së pari t’ju pyes mbi gjetjet tuaja lidhur me Listën zgjedhore. Çka mungon dhe që nuk mund të korrigjohet deri më 24 prill?

Jess Baily: Së pari, është me rëndësi të theksohet se ka pasur një vonesë të konsiderueshme në formimin e Komisionit të ri Shtetëror të Zgjedhjeve. Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, KSHZ duhej themeluar dhe të kishte kompetenca të reja qysh më 30 shtator; por përbërja e tij nuk u bë deri më 16 dhjetor. Kjo gjë jashtëzakonisht përkufizoi kohën në disponim për të krijuar procedura, për të punësuar personelin dhe për të përfunduar planet e veprimit. Megjithatë, ne përgëzojmë KSHZ-në dhe stafin e tij për përpjekjet për të përmbushur mandatin e tyre nën këto trysni të shtuara kohore.

Sa i përket Listës zgjedhore, letra jonë e përbashkët BE-SHBA e 28 janarit nënvizoi se një kriter thelbësor për vlerësimin tonë do të ishte se a ka përfunduar KSHZ-ja krahasimin fillestar ose “kontrollin korrespondues” të të dhënave të përzgjedhura qeveritare me Listën e vjetër zgjedhore deri më 19 janar. Vetëm atëherë kur këto krahasime mes listave me emrat e qindra mijëra vetëve në këto dhjetë baza të të dhënave të kishin përfunduar, KSHZ do të kishte një pasqyrë të mirë se sa probleme ose anomali ekzistojnë e që duhet të rregullohen. Dhe vetëm atëherë kur kjo informatë të jetë e disponueshme do të jetë e qartë se a ekziston kohë e mjaftueshme për hetimin e atyre anomalive, duke dalë me përfundime se cilat prej atyre emrave të kontestuar duhet të mbeten në Listën zgjedhore dhe të hiqen ata që nuk kanë vend në listë.

KSHZ vë në dukje se kontrollet korresponduese mund të bëhen brenda dy javësh. Por, mund të dalë se ekzistojnë një numër tepër i madh problemesh që nuk mund të korrigjohen brenda kohës së disponueshme për zgjedhje më 24 prill. Dhe nëse parlamenti shpërbëhet më 24 shkurt, do të jetë tepër vonë për të siguruar kohë shtesë të nevojshme për një Listë të besueshme zgjedhore. Dikush mund të propozojë mënyra për t’i rënë për shkurt procesit për të realizuar listën në kohë, por rrugët e shkurtra nuk janë përgjigja e duhur kur bëhet fjalë për një të drejtë demokratike themelore– të drejtën e votës.

Drejtuesit politikë kanë diskutuar tashmë mundësinë që 5 qershor të jetë si datë alternative për zgjedhjet. Është përgjegjësi e parlamentit për të marrë vendimet lidhur me datat e zgjedhjeve. Por gjithsesi, nëse çdokush punon siç duhet dhe u përmbahet rregullave, nuk ka arsye përse të mos organizohen zgjedhje të besueshme më 5 qershor.

Zëri i Amerikës: BE dhe SHBA kërkojnë ndarje mes shtetit dhe partisë. Cilët janë treguesit mbi bazë të të cilëve ju bëtë vlerësimin për këtë kriter?

Jess Baily: Ne përshëndesim letrën e 9 shkurtit të kryeministrit Dimitriev drejtuar anëtarëve të qeverisë dhe zyrtarëve të lartë të administratës, si dhe komentet e Z. Gruevski në intervistën e tij të 19 shkurtit. Sidoqoftë, ka raporte të besueshme se punonjësit e sektorit civil kanë udhëzuar vartësit e tyre që të sigurojnë lista të njerëzve të cilët do të votonin për një parti politike të caktuar, apo për t’u angazhuar në mënyrë të hapur në veprimtari politike. Ekzistojnë po ashtu një numër njoftimesh të besueshme, shumë prej tyre të bëra publike nga organizata të shoqërisë civile, që thonë se zyrtarë qeveritarë përdorin burime administrative për qëllime politike. Aq më tepër, nuk kemi njoftime se Zyra e Prokurores Speciale të ketë marrë masa proaktive për të hetuar aso ndëshkuar abuzimet e tilla.

Zëri i Amerikës: Bisedimet mbi median ende nuk kanë dhënë rezultate. A dini se pse edhe pas kaq shumë bisedimesh mbi këtë çështje jetike te demokracisë, nuk është gjetur një zgjidhje?

Jess Baily: Palët filluan të bisedojnë mbi reformat në media në nëntor të vitit 2015 dhe të gjitha palët kanë punuar fort për të arritur një kompromis. Deri në fund të javës së kaluar, një çështje parësore mbetej e hapur - përbërja e këshillit të RTVM (radio televizioni i Maqedonisë) dhe këshilli i Shërbimeve Audio Vizuale. Tre nga partitë pranuan parimin që anëtarët e këtyre entiteteve të jenë të kualifikuar, profesionistë të pavarur të zgjedhur përmes një procesi të hapur të aplikimit dhe të konfirmoheshin nga parlamenti. Megjithatë, një parti e refuzoi këtë propozim, dhe pa konsensus, nuk ishte e mundur të arrihet pëlqimi për reformat e medias.

Zëri i Amerikës: Ne jemi dëshmitarë të një fushate të errët kundër ndërmjetësit Vanhoutte. Çfarë vlerësimi keni ju për punën e tij dhe a do të ketë ai mundësi ta vazhdojë të mbetet ndërmjetës në një klimë të tillë?

Jess Baily: Z. Vanhoutte ka luajtur një rol kyç në reformat që u zbatuan nën Marrëveshjen e Përzhinës, përfshirë kodin e shqyrtuar zgjedhor dhe një konsensus nga të gjitha partitë mbi emërimin e prokurorit të pavarur për të hetuar veprimet kriminale që kanë të bëjnë dhe që dalin nga përgjimi i komunikimeve të paautorizuara. Është shumë për të ardhur keq që ka sulme ndaj tij.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se Maqedonia ndodhet disa orë nga momenti ku nuk ka më kthim (nuk ka më zgjidhje). Cilat do të ishin pasojat nëse VMRO-DPMNE dhe partneri i saj i koalicionit, BDI vendosin që të dalin në zgjedhje më 24 prill?

Jess Baily: Besojmë se është përgjegjësi e drejtuesve politikë të të gjitha partive për të marrë vendimet e nevojshme për zgjedhje të besueshme, të cilat janë të domosdoshme për të përmbushur Marrëveshjen e Përzhinës dhe për ta vendosur Maqedoninë në rrugën e integrimit Euro-Atlantik.

Zëri i Amerikës: Shpesh ka spekulime në publik se BDI është parti e ndikuar nga SHBA. A është kjo e vërtetë dhe a prisni që BDI do të mbështeste një vendim të VMRO-DPMNE-së për të shkuar në zgjedhje më 24 prill, pa marrë parasysh përmbajtjen e rekomandimeve në raportin tuaj?

Jess Baily: BDI shpesh ka theksuar se një nga synimet parësore është integrimi Euro-atlantik, përfshirë anëtarësimin në Nato dhe BE. Me sa dimë ne, BDI ka theksuar publikisht se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje më 24 prill. Partitë e tjera kanë bërë deklarata të ngjashme.

XS
SM
MD
LG