Lidhje

Jessen-Petersen: Rezolutës 1244 i ka kaluar koha

  • Keida Kostreci

Jessen-Petersen: Rezolutës 1244 i ka kaluar koha

Jessen-Petersen: Rezolutës 1244 i ka kaluar koha

Ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jessen-Petersen është i shqetësuar që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike, është kthyer në thuajse një rifillim të bisedimeve për statusin e Kosovës. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës përpara arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Bruksel, zoti Petersen thekson se statusi është përcaktuar dhe rezolutës 1244 i ka kaluar koha. Zoti Petersen shtoi se Serbia duhet të futet në rrugën e integrimit të Bashkimit Evropian, por më parë duhet t’i vihet kusht që të mos bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës në forume ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Në Bruksel u mbajtën bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit dhe një nga çështjet e diskutuara ishte ajo e kompromisit që do të bënte të mundur pjesëmarrjen e Kosovës në aktivitete ndërkombëtare. Kosova ka ofruar ndërkohë një lëshim duke pranuar përmendjen e rezolutës 1244 si shënim. Cili është mendimi juaj?

Soren Jessen-Petersen: Nuk duhet të harrojmë që ky dialog filloi për të diskutuar çështje teknike mes dy fqinjëve, si edhe besoj me synimin për të krijuar mirëkuptim. Tani që i erdhi radha diskutimit për pjesëmarrjen e Kosovës, ky dialog nuk është më për çështje praktike, por pothuasje një rifillim i bisedimeve për statusin e Kosovës. Mendoj se kjo është shqetësuese. Përsa më takon mua dhe shumë njerëzve të tjerë, është fakt që çështja e statusit është vendosur. Mandati i rezolutës 1244 për zbatimin e të cilit unë isha ngarkuar në detyrën time në Kosovë, parashikon mes të tjerash se i dërguari i posaçëm duhet të lehtësojë procesin që çon në përcaktimin e statusit të Kosovës. Kjo është realizuar. Procesi i statusit ka përfunduar. Tani, pothuajse nga një derë e pasme, po diskutohet përsëri për statusin dhe Kosova tani është vënë nën një presion të madh, mesa kuptoj unë, që të pranojë që për të marrë pjesë ata duhet të identifikohet si Kosovë dhe pastaj kjo të shoqërohet me një referencë për rezolutën dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nuk e kuptoj se pse duhet që Kosova ta bëjë këtë kompromis. 22 vende të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, 87 vende në gjithë botën e kanë bërë një gjë të tillë dhe vetëm 5 vende të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duket se po përcaktojnë se çfarë do të bëhet. Dhe mendoj se kjo është shqetësuese. Unë mendoj se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është i rëndësishëm dhe që Kosova të marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare, por duhet ta pyesim veten se çfarë çmimi i duhet të paguajë dhe unë mendoj se po paguan një çmim shumë të lartë.

Zëri i Amerikës: Cila do të ishte për mendimin tuaj një rrugë alternative realiste për të zgjidhur këtë situatë?

Soren Jessen-Petersen: Unë nuk e di nëse një alternativë e tillë është realiste, por shumë nga ne duam që Serbia të marrë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian pasi Serbia është një vend i rëndësishëm për Evropën dhe rajonin, por megjithatë do të doja që Bashkimi Evropian ta ftojë Serbinë, por me disa kushte dhe një prej tyre duhet të jetë – dhe nuk besoj që është vonë për një gjë të tillë – që Serbia të marrë statusin por të pranojë të mos bllokojë Kosovën në takime ndërkombëtare. Nuk besoj se BE-ja duhet të këmbëngulë që Serbia të njohë Kosovën, por Bashkimi Evropian duhet thjesht të këmbëngulë që Serbia të mos përdorë statusin e kandidatit apo më pas të anëtarit për të penguar pjesëmarrjen e Kosovës. Kjo do të kishte qenë rruga e duhur. Por në fakt tani po i kthejmë gjërat përmbys dhe presioni po bëhet ndaj vendit që nuk do të ftohet të hyjë në Bashkimin Evropian dhe tani Kosova duhet të bëjë kompromis që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: A nuk mund të shihet kjo thjesht si një çështje simbolike pa pasoja nga ana praktike?

Soren Jessen-Petersen: Po të përpiqeshim që të shihnim anën pozitive, atëherë mund të thuash se duke përfshirë një referencë për 1244-ën, e cila parashikonte një proces që çonte në përcaktimin e statusit dhe pastaj ta balancoje këtë me opinionin e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë që deklarata e pavarësisë nuk ishte e paligjshme, pothuajse mund të thuash që të dyja ato shënime (fusnota) e pranojnë që Kosova është e pavarur. Ky do të ishte një lloj interpretimi pozitiv. Por për mendimin tim – dhe kjo vjen nga dikush që punoi shumë për zbatimin e 1244-ës – kjo rezolutë i takon së kaluarës. Kosova është e pavarur, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konfirmuar këtë, prandaj të kesh një shënim të tillë do të thotë të ringjallësh dyshimin për statusin e Kosovës. Për rreth 110 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe shumë prej tyre janë në procesin e shqyrtimit të qëndrimit të tyre, disa prej tyre do të shtrojnë pyetjen: ne mendonim se kjo ishte zgjidhur, ne na ishte kërkuar që të njihnim një vend me status të përcaktuar.

Zëri i Amerikës: Fakti që pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën, a nuk i dobëson përpjekjet e BE-së, duke pasur parasysh që nuk ka pasur ndonjë sinjal se ato mund ta ndryshojnë qëndrimin?

Soren Jessen-Petersen: Sigurisht dhe këtë e shohim tani, një situatë e tillë e bën Bashkimin Evropian kaq të dobët saqë është pozicioni i këtyre pesë vendeve që po dikton rrugën e BE-së për çështjen e dialogut, ku gjithë presioni po vendoset mbi Kosovën që nuk njihet nga këto vende, në vend që të jenë 22 vendet që kanë njohur Kosovën të shkojnë tek Serbia dhe t’i thonë që ne do të donim t’ju kishim mes nesh por duhet të mos bllokoni pjesëmarrjen e Kosovës në aktivitete ndërkombëtare. Është e qartë që pozita e Bashkimit Evropian është e dobësuar duke mos qenë e bashkuar për çështjen e Kosovës dhe kjo është për të ardhur keq sepse në fund të fundit asnjë nga këta pesë vende nuk e kanë marrë këtë qëndrim të mosnjohjes për shkak të ndonjë shqetësimi të madh lidhur me Kosovën, apo Serbinë, apo ndonjë interesi atje, por vetëm për arsyet e tyre të brendshme për mosnjohje.

Zëri i Amerikës: Gjendja në Veri është ende e tensionuar dhe një gjë e tillë gjithashtu risolli në skenë debate për të ardhmen e asaj zone. A shihni ndonjë zgjidhje për atë zonë?

Soren Jessen Petersen: Përsa kohë të mbetet e pazgjidhur do të vazhdojë të jetë një çështje e vështirë mes Serbisë dhe Kosovës dhe pengesë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Nuk besoj se ka ndonjë dyshim që trazirat në veri vazhdojnë përsa kohë Beogradi të vazhdojë mbështetjen. E di që Beogradi së fundmi ka mbajtur disa qëndrime të forta kundër disa veprimeve të banorëve në veri, megjithatë nëse nuk do të kishte pasur mbështetjen e Beogradit ky problem nuk do të vazhdonte të ekzistonte. Njëkohësisht mua dhe shumë njerëzve të tjerë na duket e çuditshme, se problemi i vërtetë për Serbinë ishte së pari që Kosova do të bëhej e pavarur dhe po ashtu fakti që shumë nga monumentet e rëndësishme, kishat e tyre janë në Kosovë dhe plani Ahtisaari i merrte parasysh shqetësimet legjitime të Serbisë për qasje dhe siguri të atyre vendeve. Asnjë prej këtyre objekteve nuk është në Veri. Pra mendja të shkon se Veriu po përdoret për të mbajtur një gjendje të vazhdueshme pasigurie, instabiliteti dhe trazirash në Kosovë. Dhe përsa kohë kjo çështje nuk zgjidhet, kjo gjendje do të vazhdojë.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të bëjë Prishtina për të përmirësuar kushtet atje?

Soren Jessen-Petersen: Atë që bëmë ne ndërkombëtarët, por që dështuam. Momenti për të zgjidhur çështjen e Veriut ishte sapo hynë ndërkombëtarët, por kishte aq shumë përparësi të tjera saqë ishte e vështirë. Por në momentin kur kishte arritur në pikën e një konflikti të ngrirë, të pazgjidhur, ishte e vështirë. Ajo që ne u përpoqëm të bënim ishte fillimi i një dialogu me Kryetarët e Bashkive në veri dhe duke u sugjeruar se çfarë mund të ofronte Prishtina përsa i takon mbështetjes financiare dhe infrastrukturës. Unë vetë kam pasur disa biseda shumë të mira në atë kohë me drejtuesit lokalë. Por sa herë që arrinim diçka, bllokohej nga Beogradi. Beogradi nuk donte që kjo të vazhdonte. Unë e kuptoj që qeveria e Kosovës, ka bërë përpjekje por unë besoj se çfarëdo përpjekje të bëjnë ata do të bllokohen nga Beogradi. Të gjithë e dimë që ka njerëz që nuk e duan pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht duan një farë normaliteti dhe jo këto tensione të përhershme. Pra ka një hapësirë për veprim por përsa kohë që të diskutohet kjo çështje e statusit që siç thashë është rihapur, përsa kohë nuk është mbyllur, Veriu do të vazhdojë të përdoret për të ngjallur tensione.

XS
SM
MD
LG