Lidhje

Jetike fondet në luftën kundër HIV/Sidës


Jetike fondet në luftën kundër HIV/Sidës
Jetike fondet në luftën kundër HIV/Sidës

Organizatat ndërkombëtare që punojnë për luftën kundër Sidës dhe virusit HIV thonë se nëse nuk shtohen fondet për programet në vendet në zhvillim, fushata për të zhdukur këtë sëmundje do të pësojë një kthim prapa prej 20 vjetësh. Fondet bëhen të domosdoshme për të ofruar mjekime jetike, ndërkohë që është shtuar numri i personave që jetojnë me virusin HIV dhe Sidën:

Aktivistët e Sidës, disa prej të cilëve jetojnë me virusin HIV, protestuan muajin e kaluar para ambasadës amerikane në Johanesburg. Ata thonë se shqetësohen se fondet për programet ndërkombëtare kundër Sidës mund të reduktohen. Aktivistë si Sharon Ekambaram, zëdhënëse e organizatës Mjekët pa Kufi, thonë se nëse Shtetet e Bashkuara pakësojnë fondet, këtë shembull do të ndjekin edhe vendet e tjera:

“Epidemia e Sidës është ende një problem alarmant. Nuk është eliminuar dhe nuk do të zhduket vetvetiu”.

Zonja Ekabaram thonë se për vende si Zimbabveja, 90 për qind e fondeve kundër Sidës vijnë nga donatorë ndërkombëtarë:

Në Ukrainë, pacientë me Sidë ose HIV dhe përkrahësit e tyre protestuan në fillim të muajit kundër mbylljes së mundshme të një pavioni për HIV-in në një spital të Kievit. Sipas njoftimeve, spitali ka programin më të mirë kundër HIVit dhe Sidës në këtë vend.

Mjekë dhe aktivistë kundër sëmundjes shprehin shqetësimin se ata që kanë nevojë për mjekim nuk do të sigurojnë dot ilaçet dhe Sida do të shndërrohet përsëri në një epidemi pa shpresë si më parë.

Muajt e fundit, në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ka pasur njoftime se mjekët nuk kanë pranuar për mjekim pacientë me Sida, për arsye të mungesës së fondeve. Në disa vende afrikane, zyrtarët e shëndetësisë thonë se nuk mund të përmbushin standartet ndërkombëtare për mjekimin e Sidës.

Eksperti i Sidës Anthony Fauçi i Instituteve Kombëtare Amerikane të Shëndetit foli kohët e fundit për këtë çështje në një konferencë:

“Një statistikë shqetësuese është se për çdo person që fillon mjekimin, 2-3 persona të tjerë sapo janë infektuar”.

Dr. Fauçi thotë se numri i infeksioneve të reja ka qëndruar relativisht në vend, thuajse 3 milionë vetë në vit. Por është shtuar numri i të infektuarve, pasi njerëzit po jetojnë më gjatë me HIV. Kjo kërkon shtimin e mjekimeve.

Dr. Wafaa El-Sadr e Universitetit të Kolumbias thotë se mjekët duan të fillojnë mjekimin e pacientit me HIV, para se simptomat të bëhen të dukshme, sidomos tek gratë shtatzëna. Një tjetër përparësi janë foshnjat me HIV.

“Është e qartë se kur nevojiten më shumë ilaçe, nevojiten më shumë fonde për t’i blerë ilaçet”.

Fondet amerikane për programet kundër Sidës nuk kanë ndryshuar, pas një rritjeje të vogël prej 2 për qind. Por Dr. Fauçi thotë se do të donte të shihte një rritje më të madhe në buxhetet e këtyre programeve:

“Mendoj se perspektiva realiste kur është fjala në veçanti për njerëzit e infektuar nga HIV-i, për momentin, me burimet ekzistuese, nuk mund t’u ofrojmë mjekim të gjithë personave në nevojë në vendet në zhvillim. Prandaj shpresojmë se do të ketë donatorë të tjerë”.

Ekspertët e Sidas thonë se shumë vende të pasura nuk i kanë mbajtur premtimet për të ofruar fonde kundër Sidës. Gjithashtu, pa një vaksinë, thotë Dr. Fauçi, metodat më të mira për parandalim janë këto: ndërgjegjësimi i njerëzve për të kufizuar numrin e partnerëve seksualë, nxitja e përdorimit të profilaktikëve dhe ndërgjegjësimi i grave për t’u bërë më të vëmendshme në zgjedhjen e partnerëve seksualë në mënyrë që të mbrohen nga infektimi.

Të gjitha këto pikësynime ende mbeten sfida të mëdha.

XS
SM
MD
LG