Lidhje

Policia merr në mbrojtje fëmijët e rrezikuar


Masat e reja të policisë pritet të përmirësojnë disi jetesën e fëmijëve që lypin dhe punojnë në rrugë, si edhe të fëmijëve jetimë.

Qeveria shqiptare vendosi të shtojë masat për të mbrojtur më energjikisht të drejtat e fëmijëve, sidomos ata që janë më shumë të ekspozuar ndaj abuzimeve. Ministria e brendshme dhe ministria e punës dhe çështjeve sociale shpërndanë mbrëmë një urdhër të përbashkët, sipas të cilit, policia e shtetit dhe shërbimi social shtetëror duhet të marrin në mbrojtje të menjëhershme çdo fëmijë që gjendet në situatë emergjente. Urdhri parashikon bashkëpunimin e ngushtë mes agjencive shtetërore për të mbrojtur fëmijët në rrezik. Masat e reja të policisë pritet të përmirësojnë disi jetesën e fëmijëve që lypin dhe punojnë në rrugë, si edhe të fëmijëve jetimë.

Të dy institucionet urdhëruan që Policia e Shtetit dhe Shërbimi social shtetëror të identifikojnë në terren të gjitha rastet e fëmijëve në rrezik dhe t’i marrin ata nën mbrojtje të menjëhershme, duke u siguruar shërbimet e përkujdesjes sociale, dhe pranimin në institucionet përkatëse. Po ashtu urdhërohen komunat, bashkitë dhe qarqet e vendit që të trajtojnë bashkarisht me punonjësit e tyre socialë rajonalë të gjitha rastet emergjente të fëmijëve në rrezik, të identifikuara nga Policia e Shtetit. Aktualisht çdo qark, bashki dhe komunë ka ngritur një njësi për mbrojtjen e fëmijëve.

Një komitet që drejtohet nga kryetari i qarkut do të bashkërendojë punën do t’i dërgojë këto raste para organeve të drejtësisë, për të siguruar mbrojtjen sa më të mirë të fëmijës. Sipas rasteve të ndryshme, do të caktohet edhe koha e qëndrimit të fëmijëve në institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror, në bashkëunim me pushtetin vendor.

Urdhri u mirëprit nga shoqata dhe qendra që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, sepse ata vetë kanë bërë thirrje për një ndihmë të tillë. Këto masa pritet që të ndihmojnë drejtpërdrejt fëmijët lypsarë dhe ata që u mugojnë prindërit. Instituti për integrimin e fëmijëve jetimë ka kërkuar një mbrojtje më të madhe nga shtetit dhe përkujdesje më të mirë nga shoqëria.

Sipas statistikave, Shqipëria ka aktualisht mbi 31 mijë fëmijë jetimë socialë dhe biologjikë, ndërsa ndihma për ta është minimale. Vetëm 400 prej tyre jetojnë në fjetina të mbipopulluara, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë asnjë mbrojtje sapo mbushin 14 vjeç. Por edhe fëmijët e varfër që nuk janë jetimë punësohen që të mbajnë familjet dhe largohen nga shkollat. UNICEF i kërkoi Shqipërisë që të ndërpresë transmetimin e varfërisë nga një brez në tjetrin dhe të bëjë përpjekje më të mëdha kundër varfërisë së fëmijëve.
XS
SM
MD
LG