Lidhje

50 vjetori i vrasjes së JFK: Agjenti i shërbimit sekret tregon


Udhëtimi i presidentit John F. Kennedy në Dallas të Teksasit, më 22 nëntor, 1963 kishte të bënte me fushatën elektorale të rizgjedhjes në vitin 1964. Por atentati i dha fund jetës së tij, një ngjarje për të cilën ende vazhdojnë kundërthëniet. Qysh nga ajo kohë, agjencët e Shërbimit Sekret të caktuar për të mbrojtur presidentin Kennedy kanë folur rrallë rreth asaj dite. Por vitet e fundit, ish agjentë kanë shpjeguar si u zhvillua ngjarja, dhe si ajo ndryshoi jetët e tyre.

Ish agjenti i Shërbimit Sekret, Clint Hill thotë se ruajtja e presidentit John F. Kennedy nuk ishte e lehtë.

“Presidentit Kennedy i pëlqente turma. Ai nuk donte që dikush të ishte mes tij dhe njerëzve.”

22 nëntori i vitit 1963 filloi si çdo vizitë presidenciale, edhe pse ishte në një pjesë të vendit – Teksas – që nuk ishte entuziaste për presidentin.

“Kjo ishte një zonë mjaft konservatore. Kennedy nuk cilësohej si konservator pothuajse në asnjë aspekt. Por ne nuk kishim asnjë kërcënim, asnjë informacion që të na bënte të besonim se do të kishim një problem të madh.”

Ndërsa karvani i makinave të presidentit hyri në sheshin Dealey, agjenti Hill ishte në makinën pas limozinës së presidentit.

“Dëgjova një zhurmë shpërthyese, pas makinës, në krahun e djathtë. Pashë që presidenti kapi fytin me dorë dhe trupi iu anaua majtas. Diçka nuk shkonte. Kërceva menjëherë nga makina dhe nxitova drejt makinës së presidentit me idenë për t’u hedhur sipër. Por sapo mbërrita tek makina e tij, plumbi i tretë e qëlloi presidentin në kokë, duke shkaktuar një plagë të madhe dhe hemoragji. Pjesë të trurit të tij ranë mbi mua dhe zonjën Kennedy. Ajo u përpoq të mblidhte disa copëza që kishte shkaktuar plaga në kokë. E mbërtheva dhe bëra më të mirën për ta ulur në sedilje. Kur e bëra këtë, presidenti ra në prehërin e saj. U ngrita mbi ta dhe i mbulova duke i dhënë shenjën makinës pas të ndalonte."

Ngjarje zgjati më pak se një minute, por pati një ndikim të përjetshëm mbi agentin Clint Hillin.

“Ndjehem fajtor, ndjej përgjegjësi. Unë isha agjenti i vetëm që isha në pozicionin për të bërë diçka atë ditë.”

Vrasja e presidentit John F. Kennedy tronditi vendin dhe Shërbimin Sekret. Agjenti Hill do të vazhdonte të mbronte tre presidentë të tjerë. Por në vitin 1975 i mposhtur nga depresioni, ai doli në pension. Në vitin 2009, autorja Lisa McCubbin i kërkoi një intervistë me të për një libër.

“Ai dha një intervistë në vitin 1975 për emisionin 60 Minuta gjatë së cilës pati një krizë nervore në transmetim. Dhe qysh atëherë ai u izolua."

Por më pas Hill dhe agjentë të tjerë vendosën të flasin, pjesërisht për të dokumentuar faktin sesi vrasja ndikoi në jetët e tyre.

Hill, McCubbin dhe ish agjenti Gerald Blaine bashkëpunuan për disa libra. Hill thotë se publikimi i librit “The Kennedy Detail, Mrs. Kennedy and Me” dhe ai i këtij viti “Five Days in November” e kanë ndihmuar të rimarë veten, duke shërbyer si terapi për të.

“...veçanërisht mundësia për të biseduar me njerëzit për librin dhe t’u përgjigjesh pyejtjeve të shumta të tyre, pasi ata kanë ende shumë pyetje.”

Por pyetja me të cilën Clint Hill ka gjithmonë probleme është ajo se çfarë do të ndodhte në se do të kishte reaguar më shpejt, pyetje që e ka mbërthyer atë për 50 vjet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG