Lidhje

Jim Yong Kim, presidenti i ri i Bankës Botërore


Bordi i drejtorëve të Bankës Botërore emëroi një tjetër amerikan, Jim Yong Kim, si president të agjencisë për zhvillimin global.

Dr. Kim, është mjek, antropolog dhe aktualisht president i kolegjit të njohur Dartmouth. Më parë ai ka drejtuar përpjekjet e OKB-së për të luftuar Sidën, ka krijuar një organizatë joqeveritare për të nxitur kujdesin shëndetësor në vendet e varfëra dhe ka dhënë mësim në universitetin e Harvardit. Ai do të shërbejë për 5 vjet si president i Bankës Botërore duke filluar nga 1 korriku. Ai do të pasojë Robert Zoellick, mandati i të cilit përfundon në qershor.

Në një njoftim për shtypin ditën e hënë, Dr. Kim tha se ai do të kërkojë një “drejtim të ri” të bankës për të reflektuar një “botë që ndryshon me shpejtësi” dhe do të kërkojë “një rritje gjithëpërfshirëse”.

Presidenti amerikan Barack Obama propozoi kandidaturën e Dr. Kim për këtë detyrë dhe e uroi atë për marrjen e këtij posti. Zoti Obama tha gjithashtu se kandidatët nga Nigeria dhe Kolumbia ofruan kualifikime dhe angazhime të shkëlqyera.

Sipas një marrëveshjeje jozyrtare, Banka Botërore është drejtuar gjithmonë nga një shtetas amerikan, ndërsa Fondi Monetar nga një evropian. Kritikët thonë se kjo formulë është e padrejtë dhe i ka kaluar koha.

XS
SM
MD
LG