Lidhje

Vdes komediania amerikane Joan Rivers


Komedianja veterane amerikane Joan Rivers, humori i së cilës i bëri të qeshin miliona amerikanë për 50 vjet me radhë, vdiq të enjten në moshën 81 vjeçare.

Rivers ishte shtruar në spital, pas një arresti kardiak që pati pësuar javën e kaluar në klinikën e mjekut të saj, gjatë një procedure rutinë.

Rivers ishte nga Nju Jorku, ajo thonte se kishte dashur gjithmonë të bëhej aktore, por ajo e zbuloi talentin e saj si komediane në klub nate, në një kohë kur ishte diçka e rrallë të ishe aktore komike.

Ajo mori famë në nivel kombëtar në vitet 1960, filloi të dalë në shfaqjet televizive "Tonight Show" dhe "Ed Sullivan Show".

Duke ju drejtuar publikut me frazën e saj të njohur "A mund të bisedojmë?" ajo i bënte të pranishmit të qeshnin me lot me skeçet e saj me personazhe, si një grua e pamartuar, një amvisë e pazonja dhe një grua pa tërheqje seksuale.

Rivers filloi të dilte rregullisht në varietetë dhe telekomeditë e ndryshme, duke treguar barcaleta me thashetheme për njerëz të të famshëm.

Ajo mundi të përballojë në jetën e saj edhe tragjedi në fund të viteve 1980, kur telekomedia e saj u anulua dhe kur i shoqi kreu vetëvrasje.

Në vitet e mëvonshme Rivers vazhdoi të interpretojë në klube nate dhe nëpër skena teatrale, si dhe si drejtuese e disa emisioneve televizive për modën.


XS
SM
MD
LG