Lidhje

Ish-kongresmeni DioGuardi për Nënë Terezën

  • Ilir Ikonomi

Ish Kongresmeni nga Nju Jorku, Joe DioGuardi, ruan kujtime të shumta nga Nënë Tereza. Ai e ka takuar atë disa herë dhe thotë se filozofia e tij në jetë është si ajo e Nënë Terezës. Ai ka sidomos disa këshilla për politikanët shqiptarët, që ai thotë se duhet të përpiqen të mësojnë nga bamirësja e famshme.

Zyra e ish-kongresmenit Joe Dioguardi në shtëpinë e tij në Ossining të Nju Jorkut i ngjan një muzeu.

“Këtu mund të shikosh gjithçka që kam bërë gjatë 30 vjetëve, 4 vjet si kongresmen dhe 26 vjet si vullnetar në interes të çështjeve shqiptare.”

Ai ruan shumë kujtime nga takimet që ka patur me Nënë Terezën.

ç“Kur isha një herë në Shqipëri, pashë këtë imazh të bukur të Nënë Terezës dhe vendosa ta sjell në shtëpinë time", thotë ai.

Për ish-kongresmenin, nderimi për Nënë Terezën ka një kuptim, që ai përpiqet t’ua shpjegojë shqiptarëve me të cilët punon.

“Kur ajo shkoi në Kalkutë për t’u shërbyer të varfërve, ajo shkoi te njerëzit që nuk kishin asgjë përveç sëmundjeve, disa madje ishin leprozë.”

“Dhe unë u them shumë prej miqve të mi shqiptarë: Ju keni kompani ndërtimi, keni familje të mëdha. Por shikoj se keni shumë konkurrencë dhe xhelozi mes jush. Kërkoni makina më të mëdha, kërkoni dasma të mëdha për vajzat tuaja, shtëpi më të mëdha. Paraja nuk të bën të lumtur”, thotë ai.

“Nënë Tereza vdiq pa asnjë pasuri, por la pas imazhin e sakrificave që bëri si njeri.”

Kongresmeni Joe DioGuardi thotë se politikanët shqiptarë duhet të përpiqen ta njohin më mirë Nënë Terezën:

“Ata nuk veprojnë si Nënë Tereza. Për ta, pushteti ka rëndësi tepër të madhe. Ata u gjejnë njerëzve punë për të fituar vota. Demokracia nuk duhet të funksionojë kështu.”

“Ajo që njeriu lë në jetë nuk është ajo që u merr të tjerëve, por ajo që u jep atyre.”

“Ja dhe diçka që për pak e harrova, - thotë ish-kongresmeni. - Këtë e kam marrë në Vatikan, ditën kur filloi procesi i shëntërimit të saj. Sa herë që organizojmë paradën shqiptare, unë e vë këtë portret në makinën time, sepse dua që të kemi jo vetëm flamurët, por edhe Nënë Terezën.”

Ish-kongresmeni na sjell në Kishën e Shën Agostinit, që ngrihet mbi një kodrinë pranë lumit Hudson.

Pranë kishës, do të ngrihet një statujë e Nënë Terezës. Zoti DioGuardi ka propozuar që statuja të ngrihet këtu dhe krerët e komunitetit kishtar kanë rënë dakord:

“Sa herë që njerëzit të dalin nga kisha, ata do të kalojnë nëpër këtë shteg dhe do të vijnë pranë statujës. Kemi rënë dakord që statuja të vendoset në një kopsht të vogël dhe të rrethohet me lule,” thotë ish-kongresmeni.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG