Lidhje

Pentagoni, vrasja e “Jihadi John” mund të konfirmohet me siguri të arsyeshme


Ushtria amerikane thotë se vrasja e ekstremistit “Jihadi John” – “Xhoni Xhihadist” - mund të konfirmohet me siguri të arsyeshme. “Jihadi John” është një terrorist famëkeq me shtetësi britanike, i cili është shfaqur në disa video duke kryer ekzekutime makabre të pengjeve perëndimore. Burime të Pentagonit thanë se mendohet që ai është vrarë nga një goditje ajrore në Siri.

Koloneli Steve Warren, zëdhënës i koalicionit amerikan që lufton kundër ISIS, tha se zyrtarët besojnë se predha e lëshuar nga droni mbrëmë vonë mbi një makinë goditi objektivin dhe se dy persona mbetën të vrarë.

Ai tha se duhet bërë konfirmimi përfundimtar për të vërtetuar se “Jihadi John” ishte një ndër të vrarët.

Ekstremisti, i identifikuar nga agjencitë perëndimore të zbulimit si Mohamed Emwazi, ishte vënë në shenjestër kur mendohet se po udhëtonte me makinë nëpër Raka, kryeqendra e veprimtarive të ISIS në Siri. Zyrtarë të lartë amerikanë e kanë përshkruar operacionin si një goditje të pastër të objektit.

Emwazi, i lindur në Kuvait, i cili kishte shtetësi britanike, ishte një ndër personat më të shënjestruar nga agjencitë perëndimore të zbulimit, që kur u shfaq në video duke ekzekutuar me prerje koke disa pengje perëndimore.

Koloneli Warren tha se vrasja e terroristit kishte rëndësi pasi ai kishte marrë famë në radhët e ISIS dhe se ky operacion ishte goditje ndaj prestigjit të grupit terrorist.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, në komentet gjatë një turneu diplomatik në Tunizi, tha se zyrtarët po analizojnë rezultatet e goditjes. “Por terroristët që kanë lidhje me ISIS duhet ta kenë të qartë se i kanë ditët e numëruara dhe se do të mposhten. Nuk ka të ardhme, nuk ka rrugë përpara për ISIS, përveç asaj që do i çojë drejt eliminimit dhe shkatërrimit,” tha zoti Kerry.

Ndër pengjet perëndimore që shfaqen në video duke u ekzekutuar nga “Jihadi John” janë gazetarët amerikanë Steven Sotloff dhe James Foley, amerikani Abdul-Rahman Kassig që punonte për operacionet humanitare, britanikët David Haines dhe Alan Henning të operacioneve të ndihmave dhe gazetari japonez Kenji Goto.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG