Lidhje

Sek. Kerry, thirrje Talibanit për rikthim në bisedime


Shtetet e Bashkuara dhe Afganistani po i bëjnë thirrje Talibanit të rikthehet në bisedimet e paqes me qeverinë afgane.

Sekretari i Shtetit John Kerry, i cili ishte sot për vizitë në Kabul, tha se pjesëmarrja e Talibanit në procesin e paqes mund të ndihmojë për ndaljen e dhunës dhe vuajtjeve të popullit afgan pas shumë vite lufte.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kabul, zoti Kerry dhe Presidenti afgan Ashraf Ghani diskutuan një numër çështjesh, në përgatitje për takimin e NATO-s në Varshavë në korrik ku do të diskutohet statusi i forcave afgane të sigurisë si dhe një konferencë për ndihmat që do të zhvillohet këtë vit në Bruksel.

Më parë sot, zoti Kerry dhe Ministri i Jashtëm afgan Salahudin Rabani kryesuan punimet e takimit të Komisionit Dypalësh, të ngritur për të ndihmuar zhvillimin e Afganistanit pas luftës.

Zyrtarët afganë kërkuan që Shtetet e Bashkuara të nxisin faktorë rajonalë që të bindin Talibanin të ulet në bisedime me qeverinë afgane.

Rihapja e bisedimeve të paqes mes autoriteteve afgane dhe Talibanit është një ndër synimet kryesore të zotit Kerry, i cili është takuar edhe me Presidentin Ashraf Ghani dhe Kreun e Ekzekutivit Abdullah Abdullah gjatë qëndrimit në Kabul.

Shtetet e Bashkuara, Afganistani, Pakistani dhe Kina të cilat bëjnë pjesë në të ashtu-quajturin Grupi Bashkërendues Katër-palësh, po përpiqen të ringjallin procesin e paqes, por përfaqësuesit e Talibanit nuk morën pjesë në bisedimet që ishin planifikuar për muajin mars.

XS
SM
MD
LG