Lidhje

Takimi Kerry-Lavrov në Moskë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u takua me homologun e tij rus Sergei Lavrov sot në Moskë për bisedime mbi konfliktin në Siri dhe Ukrainën. Ai më pas pritet të zhvillojë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin. Vizita e tij në Moskë, synon përgatitjen e terrenit për një raund të tretë bisedimesh të fuqive botërore për Sirinë por nuk është e qartë nëse takimi i planifikuar për të premten në Nju Jork do të realizohet. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur një marrëveshje për rolin e presidentit sirian Bashar al-Assad në tranzicionin politik ose se cilat grupe rebele do të jenë pjesë e bisedimeve.

Në hapje të takimit, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paraqiti agjendën e bisedimeve, duke vënë në krye çështjen e ndikimit në rritje të Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme.

"Sigurisht problemet e terrorizmit nuk janë të kufizuara vetëm në Siri. Vetëm disa ditë më parë kishte një takim ndërkombëtar për Libinë ku Shteti Islamik gjithashtu po përhapet," tha zoti Lavrov.

Bisedimet në Moskë do të përqëndrohen jo vetëm në Siri dhe Lindjen e Mesme, por edhe në një zgjidhje të konfliktit në lindje të Ukrainës, tha zoti Lavrov.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se takimi i Moskës është vazhdim i diskutimeve të nisura nga presidentët amerikan dhe rus në Nju Jork.

"Në takimin e Nju Jorkut mes presidentëve tanë, si presidenti Putin dhe presidenti Obama e bënë të qartë se ata duan të gjejnë një rrugë përpara për Sirinë dhe gjithashtu një zgjidhje për Ukrainën," tha zoti Kerry.

Ai tha se Rusia ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në dialogun për programin bërthamor të Iranit dhe bisedimet e Vjenës për Sirinë.

"Edhe kur ka patur mosmarrëveshje mes nesh, ne kemi qënë në gjendje të punojmë me efektshmëri për çështje specifike, dhe Rusia ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në dialogun me Iranin dhe tani në diskutimet e Vjenës ku Rusia ka qënë një kontribues i rëndësishëm për përparimin që kemi arritur”.

Vizita e zotit Kerry pason takimin që u zhvillua javën e kaluar në Riad ku u ra dakort të bashkohen një numër grupesh opozitare për të negociuar me Damaskun në bisedimet e paqes.

Ndërsa zoti Kerry tha se ka ende një sërë çështjesh që duhen zgjidhur, kryesisht se cilat grupe duhet të përfshihen në bisedime, Kremlini e kundërshtoi rezultatin e takimit të Riadit duke thënë se disa nga grupet Moska i konsideron si terroriste.

"Për ISIL-in apo Daesh-in, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë dakort se ky është një kërcënim për këdo, për çdo vend dhe se nuk do të ketë negociata. Ata janë terroristët më të rrezikshëm. Ata sulmojnë kulturën dhe historinë dhe për vendet e civilizuara alternative e vetme është të bashkohen për ta luftuar dhe shkatërruar këtë grup," tha sekretari Kerry gjatë takimit me zotin Lavrov.

Ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se zoti Kerry do t’i bëjë thirrje Rusisë të ulë tensionet me Turqinë pas rrëzimit të avionit ushtarak rus pranë kufirit me Sirinë më 24 nëntor.

Zoti Kerry po ashtu do të nënvizojë rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Minskut dhe planet për zgjedhje të lira dhe të drejta në Ukrainën lindore.

XS
SM
MD
LG