Lidhje

SHBA: Ndryshime në postet e sigurisë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, njoftoi emërimin e Jeh Johnson, dikur juristi më i lartë në Departamentin e Mbrojtjes, për të kryesuar sigurinë kombëtare. Departamenti me 240 mijë punonjës ka në përgjegjësi agjencinë e kontrollit kufitar, shërbimet e imigracionit, reagimin federal ndaj katastrofave natyrore dhe mbrojtjen nga kërcënimet për sigurinë kombëtare.

Zoti Obama tha se e zgjodhi zotin Johnson për këtë post të rëndësishëm në kabinetin e tij si rezultat i njohjes së tij të thellë të kërcënimeve dhe sfidave me të cilat ndeshen Shtetet e Bashkuara.

Presidenti tha se zoti Johnson ka ndihmuar për të hartuar politika për shpërbërjen e udhëheqjes së al-Kaidës dhe për të anuluar vendimin për ndalimin e shërbimit ushtarak të individëve që vetë-deklarohen si homoseksualë.

Në disa agjenci të zbulimit amerikan do të bëhen ndryshime në udhëheqje.

Gjenerali Keith Alexander do të largohet nga posti i drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe i kreut të Komandës së Hapësirës Kibernetike të ushtrisë vitin e ardhshëm, siç bëjnë të ditur disa zyrtarë amerikanë.

Gjenerali Aleaxander e ka udhëhequr agjencinë për tetë vjet, duke u bërë personi që qëndron më gjatë në këtë post në historinë e këtij institucioni. Në muajt e fundit, ai është përballur me skandalin e nxjerrjes së informatave sekrete nga ish-kontraktori i agjencisë Edward Snowden lidhur me programin e agjencisë për të mbledhur tabulatet telefonike dhe emailet e amerikanëve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney përgënjeshtroi dje zërat se largimi i zotit Alexander kishte lidhje me nxjerrjen e informatave nga Snowden:

“Përgjigja është Jo! Mund të konfirmoj se disa javë më parë Gjenerali Alexander i pohoi presidentit se ka në plan të largohet nga posti në pranverën e 2014. Kur iu zgjat për të tretën herë mandati si drejtor i Agjencisë dhe kreu i Komandës së Hapësirës Kibernetike të ushtrisë në mars 2013, Gjenerali Alexander e bëri të qartë se kishte në plan të dilte në pension në pranverën e ardhshme”.

Edhe zëvendësi i zotit Alexander njoftohet se po largohet nga posti. Chris Inglis thuhet se del në pension në fund të vitit.

Largimi i Gjeneralit Alexander i jep Presidentit Obama shansin të emërojë një drejtor të ri për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe për Komandën e Hapësirës Kibernetike të ushtrisë. Është folur se presidenti mund të emërojë udhëheqës të veçantë për secilën nga agjencitë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG