Lidhje

Evans: Partitë politike të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme

  • Julian Zyla

Raportuesi i Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jonathan Evans, thotë se partitë politike kanë përgjegjësi për të garantuar që KQZ-ja të kryejë funksionet në mënyrë të pavarur

Të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë përgjegjësi për të punuar në një mënyrë që garanton një funksionim të pavarur të KQZ-së. Kështu u shpreh raportuesi i Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans, sipas të cilit kampet politike në vend duhet të sigurojnë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të lira, të drejta dhe të pranueshme. Në një intervistë me kolegun Julian Zyla, anëtari i parlamentit britanik theksoi se zgjedhjet e 23 Qershorit do të jenë vendimtare për përfundimin ose jo të procedurës së monitorimit të Këshillit Europian si dhe për ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE.

Zëri i Amerikës: Një javë pas vizitës tuaj në Shqipëri ju raportuat në Komitetin Monitorues të Këshillit në Strasburg në lidhje me përgatitjet në Shqipëri për zgjedhjet e 23 Qershorit si dhe në lidhje me ecurinë e përgjithshme të vendit për respektimin e detyrimeve ndaj Këshillit të Europës. Çfarë mund të na tregoni në lidhje me raportimin tuaj për ato që ju konstatuat në Shqipëri?



Jonathan Evans: Vështirësia kryesore është fakti që bisedat tona në Komitetin Monitorues në këtë fazë nuk janë publike. Takimet tona zhvillohen me dyer të mbyllura. Por mendoj se mund të përshkruaj paksa kontekstin e vizitës sime, duke sjellë në këtë mënyrë dhe kontekstin e asaj që ndodhi në takimin e Komitetit Monitorues. Siç e dini, Këshilli i Europës ka përgjegjësi të monitorojë arritjet nga ana e shteteve të standarteve të demokracisë parlamentare, zgjedhjeve apo të të drejtave të njeriut. Që nga muaji janar, unë jam caktuar nga Komiteti Monitorues si raportues për Shqipërinë. Ne gjendemi pranë zgjedhjeve të 23 Qershorit, prandaj qëllimi i vizitës sime në Shqipëri ishte të shihja se çfarë hapash po ndërmerreshin për t’u përgatitur për ato zgjedhje, dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve duhet të përgatis një raport rreth ecurisë së tyre. Prandaj është tepër herët që unë të mund të them se cilat ishin mbresat e mia apo se çfarë mund të duhet të ndryshohet. Mesazhi ynë për partitë politike në Shqipëri ishte që vizita jonë përkoi me trazira politike të rëndësishme, për shkak të ndryshimeve të bëra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ishte zhgënjyese që ndryshimet ndodhën në atë kohë, pasi takimi ynë i parë ishte me vetë KQZ-në. Ishim në gjendje të zhvillonim një takim me kryetaren e Komisionit dhe duket se pati një ndryshim në përbërjen e KQZ-së edhe gjatë vazhdimit të vizitës sonë. Ne dëgjuam disa opinione lidhur me faktin nëse kjo do të ketë ose jo pasoja në besueshmërinë me të cilën do të zhvillohet procesi i zgjedhjeve. Mendoj së dihet gjerësisht që vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol themelor në garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta. Prandaj të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të punuar në një mënyrë që garanton faktin që KQZ-ja të kryejë funksionet e saj në mënyrë pavarur dhe që rezultatet e zgjedhjeve, kur të vijë momenti, të jenë të lira, të drejta dhe të pranueshme nga populli. Unë e di që ka persona që kanë shprehur gjykimin e tyre nëse këto ndryshime duhet të kishin ndodhur dhe nëse duhet të bëhen vërejtje ndaj partive politike, duke sugjeruar se çfarë duhet të bëjnë partitë, por nuk na takon ne të bëjmë sugjerime të tilla.

Zëri i Amerikës: Në misionin tuaj në Tiranë duket se një peshe jo të vogël pati çështja e zgjedhjeve. Cili është vlerësimi juaj për situatën parazgjedhore në Shqipëri?

Jonathan Evans: Ajo që ne do të donim është që partitë politike të na shprehnin besim tek fakti që ato do të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve. Ky është një mesazh që u kemi dhënë të gjitha partive politike me të cilat u takuam. Secila nga partitë politike na la të kuptonim se ato duan të jenë në gjendje të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, por, siç e dini dhe ju, disa prej tyre kanë shprehur rezerva në lidhje me këtë besim për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ju thatë se donit mendimin tim, mendimi im është se partitë politike duhet ta zgjidhin këtë problem. Por unë nuk mund të shprehem nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme deri në kohën që ato të jenë zhvilluar.

Zëri i Amerikës: Sa problematike e shihni krizën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve?

Jonathan Evans: Mendoj se kriza e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka të bëjë pikërisht me çështjen thelbësore të pranimit ose jo të rezultatit nga ana e partive politike. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh historinë në Shqipëri. Siç e dini, pas zgjedhjeve të fundit, një nga partitë politike kryesore refuzoi të zinte vendet e saj në parlament, për shkak të mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Duhet thënë gjithashtu se këto janë zgjedhje të një rëndësie vendimtare për Shqipërinë, sa i përket të ardhmes së saj europiane. Ne e dimë tashmë se opinioni publik në Shqipëri e mbështet shumë fuqimisht statusin e kandidatit për vendin. Të gjitha partitë politike duket se shohin një të ardhme europiane për Shqipërinë dhe ky është mesazhi që na dha secila prej tyre. Por nuk është rastësi që përfaqësues të lartë ndërkombëtarë kanë vizituar Shqipërinë kohët e fundit, që nga Komisioneri i BE-së për Zgjerim Stefan Fule, apo njerëz të rëndësishëm të Departamentit të Shtetit si drejtori për rajonin Moore si dhe zoti Reeker. Dhe mendoj se të gjithë ata janë duke dhënë të njëjtin mesazh që do të jepnim dhe ne; pra, që të sigurohet që të gjithë mekanizmat e nevojshëm të jenë efektivë, për të mundësuar zgjedhje rezultatin e të cilave të mund ta pranojnë të gjithë.

Zëri i Amerikës: Sa ndikim do ketë vlerësimi për zgjedhjet në vazhdimin ose jo të procedurës monitoruese nga ana e Këshillit të Europës?

Jonathan Evans: Mendoj se është diçka shumë themelore që ky të jetë një proces i pranueshëm, një proces që përmbush standardet ndërkombëtare dhe standardet që ne kemi në Këshillin e Europës për mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për vazhdimin ose jo të procedurës së monitorimit nga ana e Këshillit të Europës, por edhe për faktin nëse Shqipëria do të përparojë më tej në udhëtimin e saj drejt statusit të vendit kandidat të BE-së. Këtë e ka bërë të qartë dhe vetë Komisioni Europian. Në përfundim të takimit tim në Tiranë, pata mundësi të thoja para mediave në Shqipëri që nëse ne gjykojmë që këto zgjedhje nuk përmbushin standardet ndërkombëtare, është e pakonceptueshme që udhëtimi drejt statusit të vendit kandidat në BE të mund të përparojë dukshëm, gjatë 3 apo 4 viteve të ardhshme.

Zëri i Amerikës: Në Tiranë ju thatë se prisni përparim në luftën kundër korrupsionit. Si e vlerësoni situatën e tanishme të këtij fenomeni në Shqipëri?

Jonathan Evans: Nuk do të bëj një raportim në lidhje me shqetësimet që na u paraqitën gjatë vizitës sonë, por në të njëjtën kohë mund të them që kemi pasur takime me udhëheqës të të gjitha partive politike, kemi pasur takime me ambasadorë të disa shteteve me rëndësi të pranishme në Shqipëri, si dhe me përfaqësues të lartë të shoqërisë civile. Duhet thënë që në Shqipëri ka patur përparim të rëndësishëm në aspektin e përmirësimit të disa prej këtyre çështjeve, por nuk kemi të bëjmë me një situatë në të cilën mund të themi se tani gjithçka ka përfunduar. Ky është një udhëtim që duhet të vazhdojë, dhe kjo është arsyeja pse ne menduam se ishte e përshtatshme të shtonim atë pjesë në deklaratën tonë, gjatë vizitës sime në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet që ju keni ngritur, por që shtrohet në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, është pavarësia e gjyqësorit. Sa shqetësuese e konsideroni gjendjen në të cilën ndodhet sistemi gjyqësor shqiptar?

Jonathan Evans: Ajo që diskutuam me anëtarët kryesorë të parlamentit, ka të bëjë me përparimin që mund të bëhet, por mendoj se duhet thënë gjithashtu që unë pata një takim me Ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit ai na përshkroi disa ndryshime të rëndësishme që janë bërë. Nuk mendoj se në Këshillin e Europës ne duam të dukemi sikur nënvizojmë gjithmonë anët negative. Ne i dimë disa nga gjërat negative që kanë ndodhur në të kaluarën në Shqipëri, ne i dimë gjërat negative që ka pasur në lidhje me zgjedhjet, si dhe në lidhje me emërimin e anëtarëve të gjyqësorit. Megjithatë, në të njëjtën kohë, mendoj se mund të themi që ka patur përparim të rëndësishëm në këtë fushë. Natyrisht, tashmë i dimë aspektet në të cilat vetë Bashkimi Europian ka kërkuar që të miratohen ligje, të cilat do të shtonin besimin në lidhje me disa prej këtyre emërimeve publike. Nga diskutimet që patëm me partitë politike, na u krijua përshtypja se në disa prej këtyre fushave palët janë gjerësisht dakord, por megjithatë gjatë 12 muajve të fundit duket të jetë bërë më pak përparim nga sa ne do të kishim dashur të shihnim sa i përket zbatimit. Ndoshta kjo po pengohet nga fakti që zgjedhjet e 23 qershorit po afrojnë, por unë mendoj se kjo është një qasje që nuk merr parasysh aspektet afatgjata. Dhe në qoftë se kemi qëndrime kaq të përafërta mes partive politike, do të ishte mirë që ata të kuptonin nevojën për të ecur përpara me zbatimin e disa prej këtyre ndryshimeve, sikundër të gjitha partitë na lanë të kutonim se dëshironin të ndodhte.

Zëri i Amerikës: Në një deklaratë gjatë vizitës suaj në Shqipëri – por edhe pak më parë gjatë kësaj interviste – ju jeni shprehur se “do të ishte i pakonceptueshëm avancimi me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ndërkohë që vazhdohet me procedurën monitoruese të Këshillit të Europës”. Pra, edhe pse dy organizatat nuk janë juridikisht të lidhura, ju duket të thoni se vazhdimi i procedurës së monitorimit të Shqipërisë nga ana e Këshillit të Europës është një tregues i fortë negativ për integrimin e Shqipërisë në BE. Cili është parashikimi juaj lidhur me kohëzgjatjen e procesit të monitorimit?

Jonathan Evans: Ajo që ju sapo thatë është absolutisht opinioni im. Mund të jetë e vërtetë që Këshilli i Europës – i cili sigurisht është një organ i ndryshëm nga Bashkimin Europian – nuk thotë fjalën e fundit sa i përket përparimit në lidhje me statusin e kandidatit në BE, por në të njëjtën kohë këto organizata janë organizata përplotësuese. Dhe unë mendoj se kisha të drejtë kur thashë se është e pakonceptueshme që udhëtimi drejt statusit kandidat të mund të përparojë ndërkohë që Këshilli i Europës vazhdon, në një farë mënyre, procedurën e monitorimit. Pra kjo është diçka e vërtetë. Ju më pyetët gjithashtu nëse ne do të vazhdojmë procedurën e monitorimit. Kjo do të varet nga fakti nëse ne do të shohim zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje të cilat plotësojnë standardet ndërkombëtare, dhe rezultati i të cilave të ketë besimin e të gjitha partive politike. Nëse kjo nuk ndodh, është e vështirë që të mund të pritet që procedura e mbikqyrjes të mbyllet së shpejti.

Zëri i Amerikës: Raportet periodike – të paktën një herë çdo dy vite – të Komitetit Monitorues përpara Asamblesë së Këshillit të Europës duhet të përmbajnë një draft rezolutë me propozime konkrete për përmirësimin e situatës në vendet nën monitorim. Çfarë mund të na thoni lidhur me propozimet konkrete më të fundit të parashikuara për Shqipërinë?

Jonathan Evans: Me gjithë respektin e duhur, ajo që jeni duke më ftuar të bëj tani është që të shkruaj raportin tim në programin tuaj. Mund të them që si gazetar është një lëvizje shumë e aftë nga ana juaj, por si politikan mund t’ju them se kolegët e mi të Komitetit Monitorues do të fyheshin shumë prej meje, nëse do të shkruaja raportin tani me ju, në vend që të flas me ta pas zgjedhjeve, për të arritur së bashku në një përfundim. Më lejoni të them se ky nuk do të jetë një përfundim vetëm i imi. Unë do të paraqes propozimin tim para Komitetit të Monitorimit, dhe më pas qëndrimi i Komitetit të Monitorimit, do të duhet të konsiderohet nga Asambleja. Pra, vendimi që do të merret nga Këshilli i Europës mendoj se do të ketë pas vetes një legjitimitet të rëndësishëm demokratik. Por, në këtë pikë të procesit, unë kam nderin të jem caktuar nga Këshilli i Europës për t’u angazhuar në këto diskutime paraprake për të vlerësuar se cili është qëndrimi ynë në lidhje me zgjedhjet dhe se cilat janë shqetësimet që unë shoh. Unë duhet të tregoj jo se si këto shqetësime mund të zgjidhen, por duhet t’u tregoj partive politike nevojën për t’i zgjidhur ato. Unë dua që partitë politike të punojnë së bashku, duke bërë përpjekje që t’i zgjidhin këto shqetësime.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG