Lidhje

Jonatthan Moore viziton Tiranën


Drejtori për çështje të Europës qendrore dhe jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore nisi sot një vizitë treditore në Shqipëri, gjatë të cilës po zhvillon një seri takimesh me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare.

Zoti Moore u takua me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, me të cilin bisedoi mbi pesëvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Presidenti Nishani vlerësoi se kjo arritje historike për Shqipërinë u bë e mundur edhe nga mbështetja amerikane. Sipas njoftimit zyrtar, zoti Nishani shprehu bindjen se Shqipëria po e përligj në këto pesë vite besimin dhe pritshmëritë e aleatëve, duke dhënë ndihmesën e vet për sigurinë dhe paqen në rajon dhe në botë.
Moore ne Tirane
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi ecurinë e integrimit në BE, arritjet e deritashme në këtë proces dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe Shteteve të Bashkuara dhe u shpreh besimi që Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në qershor. Presidenti Nishani dhe diplomati amerikan i vlerësuan si sfida të rëndësishme luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi dhe reformën administrative territoriale.

Drejtori për çështje të Europës qendrore dhe jugore në Departamentin amerikan të Shtetit, Jonathan Moore u takua më pas me ministren e mbrojtjes Mimi Kodheli, ku vend kryesor në bisedë zuri pesëvjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe angazhimet në misionet paqeruajtëse në kuadër të Aleancës. Zoti Moore zhvilloi një bisedë edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha. Sipas zyrës së shtypit, zoti Basha përmendi dy shqetësime kryesore të opozitës: moszbatimin nga qeveria të vendimeve të gjykatave dhe mosrespektimin e mandatit të institucioneve të pavarura.

Kjo është pjesë e vizitave të rregullta e të vazhdueshme, që zoti Moore zhvillon në Shqipëri dhe në rajon, ndonëse këtë radhë vizita e tij përkoi me një acarrim të marrëdhënieve mes partive kryesore politike. Përkrah politikanëve të njohur shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, në ditën e dytë ai pritet të flasë në një konferencë ndërkombëtare për bashkëpunim atlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkan, si dhe mbi integrimin e Shqipërisë në BE dhe në NATO. Pas takimeve në kryeqytet me kryetarin e parlamentit Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, zoti Moore do të vizitojë edhe Kosovën.

XS
SM
MD
LG