Lidhje

Shqipëria në Ditën e Lirisë së Shtypit


Liria e shtypit shqiptar cënohet nga presionet dhe vetëcensurimi. - Kështu e përshkruajnë gjendjen e shtypit shqiptar studiues dhe përfaqësues të tij, sot në ditën botërore të lirisë së shtypit.

Në Universitetin e Tiranës, Dr. Jonila Godole është autore e njërit prej studimeve më thella mbi shtypin shqiptar në tranzicion, ku theksohet veç të tjerash se gazetarët shqiptarë nuk janë të lirë, sepse punojnë nën vetë-censurë dhe informalitet. Këto ndikojnë në statusin e ulët të gazetarëve; ata bëhen oportunistë dhe ndjekin disa rregulla të pashkruara nga pronarët dhe redaktorët për keqpërdorimin e shtypit.

Gazetarët, sipas saj, shkruajnë vetëm ato që u interesojnë pronarëve të medias. Zonja Godole thotë se sëmundjet kronike më të rënda të shtypit shqiptar janë vetëcensura dhe informaliteti në punësimin e gazetarëve.

Zonja Godole thotë që mungon liria e shprehjes profesional të temave. Gazetarët humbin paanshmërinë nga presioni i pronarit të medias dhe drejtuesit të redaksisë, dhe kjo shkakton autocensurën tek ata.

Ndërkaq, drejtuesi i gazetës Shekulli, Elton Metaj, thotë që shtypi shqiptar është i sëmurë, sepse punon nën presione të mëdha të politikës, institucioneve dhe botës kriminale. Gazetarët, sipas tij, janë të pambrojtur nga këto rreziqe, shpesh janë edhe të pasiguruar, por nuk mbrojnë as njëri tjetrin, sepse nuk kanë ngritur asnjë mekanizëm vetërregullimi brenda bashkësisë së tyre.

Zoti Metaj shtoi se shtypi vuan nga pabarazia e konkurrencës në treg dhe nga bllokimi i lajmeve prej institucioneve, megjithatë, gazetarët bëjnë një betejë të vazhdueshme për pavarësi dhe profesionalizëm.

Por studiuesja Godole thotë se mungon transparenca kujt i përkasin mediat, sa media ka në dorë një kompani ose një person, për të parë se në duart e kujt është informacioni dhe mundësia për të manipuluar opinionin publik. Ajo thotë se sa më pak duar ta kontrollojnë shtypin aq më lehtë manipulohet opinioni publik. Shqipëria, sipas zonjës Godole, ka një mjedis mediatik të pabarabartë, ku disa media keqpërdoren nga biznesi dhe politika.

Ndërsa zoti Metaj thotë se pengesa më e madhe e shtypit nuk është prania e biznesit në media, por mungesa e lirisë për të trajtuar çështje më të thella që prekin interesa ekonomike në dobi të qytetarëve. Sipas tij, transparenca me publikun e shëron median, dhe është publiku që gjykon besnikërinë e shtypit ndaj parimeve profesionale dhe komunitare.

Në 25 vite të tranzicionit politik Shqipëria kaloi edhe një tranzicion mediatik, ku pati edhe shumë ndryshime pozitive. Megjithatë, vëzhguesit pohojnë se gazetarinë po e bëjnë gazetarë pa status profesional dhe të pambrojtur në të drejtat e tyre ligjore në një treg pune, ku gjithashtu mungojnë rregullat.

Për më tepër, tregu mediatik nuk ekziston, ose është i deformuar, sepse mediat drejtohen si biznese informale jashtë tregut, ku disa favorizohen prej politikës dhe fitojnë më shumë para se disa të tjera të pambrojtura.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG