Lidhje

Jordania ekzekuton dy militantë si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së pilotit


Ekzekutimet pasuan publikimin e video pamjeve ku grupi Shteti Islamik vret një pilot jordanez, duke e djegur të gjallë

Jordania ekzekutoi dy militantë në agimin e së mërkurës, si kundërpërgjigje ndaj grupit të Shtetit Islamik, i cili vrau në mënyrë të tmerrshme pilotin jordanez që u kap pas rrëzimit të avionit të tij gjatë sulmeve mbi luftëtarët në Siri.

Autoritetet varën Sajida al-Rishawin, një grua nga Iraku e dënuar me vdekje për shkak të përfshirjes së saj në sulmin vetëvrasës në vitin 2005 në Amman dhe Ziad al-Karbouly, një tjetër irakian i lidhur me Al-Qaidan.

IS kishte kërkuar lirimin e al-Rishawit si pjesë e këmbimit të të burgosurve, por Jordania kishte refuzuar ta bëjë këtë pa prova se piloti Muath al-Kaseasbeh është ende gjallë.

Një video e shfaqur në internet të martën tregonte pilotin ë mbyllur në kafaz duke u djegur për së gjalli.

“Shërbimet amerikane të zbulimit nuk kanë arsye të dyshojnë në vërtetësinë e video pamjeve”, tha Brian P. Hale, nga drejtoria e zbulimit kombëtar amerikan.

Jordania tha se piloti mund të jetë vrarë një muaj më parë. Ai ishte kapur në Siri kur avioni i tij u rrëzua derisa po merrte pjesë në sulmet kundër Shtetit Islamik në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Ky është terror qyqar i një grupi kriminal që nuk ka të bëjë asgjë me islamin”, tha të martën mbreti Abdullah i Jordanisë. “Piloti trim dha jetën e tij duke mbrojtur besimin, vendin dhe kombin e tij dhe iu bashkua dëshmorëve të tjerë jordanez”, tha ai.

Presidenti Barack Obama, i cili u takua me mbretin Abdullah, tha se video pamjet janë një tregues tjetër i “barbarizmit dhe ligësisë” së grupit. “Mendoj se kjo do të dyfishojë vigjilencën dhe përkushtimin e koalicioni global që të sigurohemi se ata do të rrënohen dhe do të munden” tha presidenti Obama.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, e dënoi vrasjen e pilotit, ndërsa e quajti Shtetin Islamik një grup terrorist pa respekt për jetën njerëzore.

Pjesëmarrja e Jordanisë në sulmet ajrore kundër myslimanëve të tjerë, nuk është shumë popullore brenda vendit.

Por, gjenerali Lloyd Austin, shef i komandës qendrore amerikane që mbikëqyrë koalicionin që lufton kundër militantëve, tha të martën se Kaseasbeh, “I shërbeu vendit të tij me trimëri e nder” dhe ishte një anëtar i rëndësishëm i ekipit që lufton Shtetin Islamik.

Më herët të martën, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry dhe ministri i jashtëm jordanez Nasser Judeh, nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi me të cilën Shtetet e Bashkuara do të sigurojmë një miliardë dollarë në vit për Jordaninë deri në vitin 2017.

XS
SM
MD
LG