Lidhje

Jordania dhe konflikti sirian


Vendet fqinjë me Sirinë kanë ndjekur me kujdes luftën civile që po zhvillohet pranë tyre dhe që nganjëherë kapërcen kufirin. Ndryshe nga Turqia dhe Iraku, Jordania është përpjekur të qëndrojë neutrale në këtë konflikt. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabet Arrot nga Lindja e Mesme, ka shenja që mbretëria e Jordanisë, edhe pse me hezitim, mund të përfshihet në konflikt.

Në kushtet kur problemet politike dhe ekonomike brenda vendit po shtohen, gjëja e fundit që mund të duan shumë jordanezë, është konflikti me Sirinë fqinjë.

“Interesat e Jordanisë diktojnë që Jordania të mos ndërhyjë.”

Analisti politik Labib Kamhawi thotë se këto interesa mund të jenë të dytat në rradhë, pas çështjeve më të mëdha.

“Duket se presioni nga jashtë është i madh, nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, si dhe nga vendet rajonale të Gjirit Persik dhe Arabia Saudite. Kjo do të thotë që Jordania do të detyrohet t’i hapë dyert për një ndërhyrje të mundshme ushtarake, qoftë me burime humane, me armë ose logjistike dhe kjo po ndodh.”

Shtetet e Bashkuara, aleat i rëndësishëm i Jordanisë, kanë çuar një kontingjent të vogël ushtarak në mbretëri. Misioni nuk është i qartë me saktësi. Hassan Barari, profesor i Studimeve Ndrërkombëtare në Universitetin e Jordanisë, thotë se është e rëndësishme përfshirja amerikane.

Komuniteti ndërkombëtar do që Jordania të luajë rol në Siri. Jordania nuk mund ta bëjë e vetme këtë, prandaj nevojitet mbështetja, në veçanti ajo amerikane.”

Damasku është rreth 100 kilometra në veri dhe forcat kryengritëse që përpiqen për rrëzimin nga pushteti të Presidentit sirian Bashar al Assad e shohin Jordaninë si një rrugë të rëndësishme kalimi për forcat rebele, që përpiqen të marrin kontrollin e kryeqytetit.

“Në Siri kanë hyrë fshehurazi armë, por një sasi tepër e vogël, jo e mjaftueshme për të provokuar sirianët. Por të paktën tani Jordania po jep përshtypjen se është gati ta bëjë një gjë të tillë”, thotë analisti Barari.

Rreziku i hakmarrjes nga Siria u shtua disa muaj më parë, kur zyrtarët jordanezë thane se kishin zbuluar një komplot për sulm prej militantëve nga Siria.

“Askush nuk mund të pretendojë që komplotistët i çoi regjimi sirian, por sapo Jordania të përfshihet në konflikt, ndoshta do të ketë një front lufte për Jordaninë.”

Ndërsa qeveria siriane lufton për mbijetesë, tani ka dalë një tjetër kërcënim. Burime të zbulimit amerikan thonë se Siria mund të jetë duke u përgatitur të dislokojë armë kimike.

Analisti politik Kamhawi thotë se besueshmëria e Shteteve të Bashkuara është dëmtuar për çështje të kësaj natyre për shkak të luftës në Irak. Ai thotë se situata e atëhershme hedh dyshime tek pretendimeve të tanishme.

“Në se ne pranojmë argumentin se nga armët kimike të Sirisë vjen një rrezik i menjëhershëm, në këtë rast kemi të bëjmë me një ftesë për ndërhyrje nga jashtë në Siri.”

Të dy analistët mendojnë se, pavarësisht nga ajo që duan jordanezët, në fund të fundit ata nuk kanë zgjedhje.

“Unë mendoj, - thotë professor Barari, - se në fund të fundit, Jordania do ta kuptojë se është me të vërtetë e vështirë të mbash një qëndrim të pavarur nga ajo që kërkojnë amerikanët.”

Ndërkohë, jordanezët janë duke ndjekur me kujdes situatën dhe janë në pritje.

XS
SM
MD
LG